Ahmetaj, 1 milion USD tender për zyra luksoze

Ministria e Financave do të shpenzojë mbi 1 milion dollarë për rikonstruksionin e zyrave të saj, teksa fondet për shkolla, spitale apo dhe rrugë kanë shënuar rënie të ndjeshme. Tenderi është shpallur në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik. Sipas dokumenteve, objekti i kontratës së tenderit do të jetë rikonstruksioni i zyrave dhe rrjetit LAN të Ministrisë së Financave. “Fondi limit është 125 milionë e 152 mijë  lekë  (pa TVSH)”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Prokurimit. Sipas dokumenteve, tenderi do të zhvillohet në fund të këtij muaji, ndërsa kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin e saj do të jetë 8 muaj nga data e nënshkrimit. Ministria e Financave u zhvendos në vitin 2014 nga godina e Kryeministrisë në atë të ish-Ministrisë së Mbrojtjes. Dokumentet tregojnë se gjatë kësaj zhvendosjeje u shpenzuan rreth 100 mijë dollarë nga buxheti i shtetit për përshtatjen e zyrave. Tani Ministria e Financave është duke shtuar edhe 1 milion dollarë të tjera për zyrat e saj.

ë gjitha paratë për zyra

Në listën e detajuar të investime publike, që do të financohen nga buxheti për këtë vit, zëri rikonstruksion godine haset plot 45 herë. Thuajse çdo institucion publik, ministri apo agjenci qeveritare ka parashikuar të rikonstruktojë godinën dhe sipas listës, rezulton se dhjetëra milionë dollarë nga paratë e qytetarëve po shkojnë vetëm për këtë qëllim dhe jo për rrugë, shkolla apo spitale publike. Në total, investimet publike për këtë vit janë parashikuar rreth 60.5 miliardë lekë ose 4 për qind e prodhimit kombëtar. Sipas shifrave të vetë qeverisë, ky është niveli më i ulët i investimeve me para publike që nga viti 1997. Por krahas tkurrjes së fondeve, qeveria ka ndryshuar dhe filozofinë e investimeve duke i larguar ato nga qytetarët. Nga lista e detajuar e projekteve rezulton se vetëm 27 miliardë lekë ose më pak se gjysma do të shkojnë për punime civile në projekte publike në përfitim të qytetarëve si shkolla, rrugë, spitale apo ujësjellësa. Sipas listës, pjesa më e madhe e fondeve janë destinuar për rikonstruksion zyrash, blerje kompjuterësh, kancelari për institucionet apo shpenzime për blerje librash, studime dhe analiza të ndryshme që do të kontraktohen nga OJQ-të. Ndryshe nga vitet e kaluara kur investimet publike në pjesën dërrmuese, financonin rrugë, shkolla apo ujësjellësa në dobi të publikut këtë vit ato do të jenë të padukshme për qytetarët dhe të dukshme për pushtetarët. Dëshmia më e qartë për këtë janë krahasimi i investimeve që shkojnë në ndërtim rrugësh apo ujësjellësish. Sipas të dhënave të vetë qeverisë, nëse këtë vit investimet në rrugë dhe ujësjellësa ishin 35.5 miliardë lekë, më 2016-ën ato do të jenë vetëm 19.8 miliardë lekë ose gati dy herë më pak.

Artikulli paraprakThaçi dhe Nuland për zhvillimet më të fundit në Kosovë
Artikulli tjetërQeveria u heq pagesën nëse janë të punësuar, paraplegjikët gati për protesta