Agolli, Kaçe dhe Sadiku, protagonistë

Nga Ansi Agolli te Ergys Kaçe për të vazhduar me Armando Sadikun. Të gjithë janë gati për të zhvilluar një sezon të madh me skuadrat e tyre respektive në Europa League. Këtë të enjte nis faza e grupeve e këtij kompeticioni dhe do të jenë tre futbollistët e kombëtares shqiptare që do të nisin aventurën e tyre në Europa League. Ndryshe nga një vit më parë, këtë herë lojtarët shqiptarë që marrin pjesë në këtë kompeticion janë më të paktë në numër, kjo edhe për vetë faktin se sezonin e kaluar pjesë e Europa League ishte edhe Skënderbeu, megjithatë Sadiku, Kaçe dhe Agolli do të bëjnë maksimumin për të patur një rol protagonisti me skuadrat e tyre. Ansi Agolli, kapiteni ri i kombëtares kuqezi pas tërheqjes së Lorik Canës do të jetë i pari që do të zbresë në fushë. Qarabagu skuadra ku luan mbrojtësi shqiptar që prej vitit 2010 bën pjesë në grupin J, së bashku me Fiorentinën, Paokun e Selanikut dhe Slovan Liberec.
Objektivi i Qarabagut është të kualifikohet për në ruandin 1/16-ve, mision i vështirë ky, por jo i pamundur. Në orën 17-të të kësaj të enjteje, skuadra azere do të sfidojë në Baku, çekët e Slovan Liberec, me Ansi Agollin që e ka të sigurtë vendin e tij në formacionin titullar. Në orën 19:00 do të jetë momenti i Ergys Kaçes. Mesfushori shtatshkurtër, i cili kaloi nga Paoku te Viktoria Plzen në formë huazimi, me skuadrën çeke do të sfidojë në një duel zjarri Romën. Bashkë me Viktoria Plzen dhe skuadrën italiane në grupin E janë shortuar dhe Austria e Vienës e Astra. Pas Romës, Plzen është ekipi i dytë favorit për të avancuar më tej në këtë grup. Kaçe, i cili u aktivizua për një pjesë loje në takimin e fundjavës ndaj Slovan Liberec në kampionat, ka shanse të mira për ta nisur si titullar sfidën ndaj Romës.
Një nga arsyet që Armando Sadiku vendosi të qëndrojë te Zyrihu kishte të bënte edhe me faktin se skuadra zvicerane merr pjesë në fazën e grupeve të Europa League, pasi sezonin e kaluar arriti të fitonte Kupën e Zvicrës. Në mbrëmje në orën 21:05, autori i golit historik të Shqipërisë në Euro 2016-të, në stadium shumë të njohur si “El Madrigal” do të synojë të mbajë mbi shpatulla peshën e sulmit të Zyrihut në sfidën përballë Villarealit. Ky kompeticion, por mbi të gjitha ndeshje të tilla si kjo ndaj nëndetëses së verdhë mund t’i shërbejnë Sadikut si një vitrinë e rëndësishme për të treguar vlerat në mënyrë që në merkaton e janarit të bëjë hapin e madh në karrierë.
Duke lënë mënjanë Villarealin, që është një ekip i një tjetër niveli ndaj turqëve të Osmanlispor dhe rumunëve të Steauas së Bukureshtit, Zyrihu me një lider si Sadiku në sulm mund të luajë shanset e saj për t’u kualifikuar në grupin L. Alban Meha një tjetër lojtar shqiptar, por që sëfundmi ka zgjedhur të luajë me përfaqësuesen e Kosovës do të jetë pjesë e këtij kompeticioni me skuadrën turke të Konyasporit, ndërsa Qazim Laci, mesfushori i përfaqësueses Shpresa të Shqipërisë që këtë verë është transferuar nga Olympiakosi te Apoel Nikosia në formë huazimi pritet ta nisë nga stoli ndeshjen që  skuadra qipriote do të luajë ndaj kazakëve të Astanes.

Artikulli paraprakDe Boer s’ndalet!
Artikulli tjetërKlithma e një njeriu që po bie