Agjenti i Hysaj: E ardhmja vendoset në fund të sezonit

Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Giuffredi, u ka bërë ftesë publikisht drejtuesve të Napolit që të ulen në tavolinën e bisedimeve për të rinovuar kontratën e klientit të tij. Giuffredi iu ka kujtuar drejtuesve se mbrojtësi shqiptar është i lumtur në skuadrën napoletane, por duhen rishikuar termat financiar. “Hysaj ndihet shumë mirë te Napoli dhe do të dëshironte të qëndronte, por duhet rishikuar aspekti financiar. Në fund të kampionatit do të gjejmë një zgjidhje”, tha ai.
Në intervistën dhënë për “Radio CRC”, Mario Giuffredi theksoi se Hysaj ndihet shumë mirë te Napoli dhe dëshiron të qëndrojë, por çështja ekonomike do të rishikohet. Ai shtoi gjithashtu se pas një viti, mbrojtësi shqiptar tregoi se di të luajë edhe në nivele të larta, por deri në këto momente nuk është takuar me drejtuesit e klubit të kaltër. “Momentalisht skuadra është e përqendruar te objektivat sezonalë, por në fund të kampionatit do të gjejmë një zgjidhje”, thekson agjenti i mbrojtësit kuqezi që lë të hapur çdo alternativë. Gjatë javëve të fundit, emri i Hysajt është përmendur nga media të ndryshme, pasi sezoni pozitiv që po zhvillon ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha, ku në radhë të parë qëndrojnë Atletico Madrid e Chelsea.
Ndërkohë, ditë më parë, ai paralajmëroi se Hysaj edhe mund të largohet, me skuadra si Atletico Madrid e Chelsea, të cilat po e vëzhgojnë prej vitesh. “Unë e them gjithmonë se, kur një futbollist dëshiron të provojë aftësitë e tij, duhet të kalojë te Napoli. Nëse paraqitesh mirë në këtë skuadër, do të thotë se je gati të luash në çdo vend të botës”, deklaroi para pak kohësh menaxheri i Hysajt.

Artikulli paraprakIcardi: Qëndroj dhe fitoj te Interi
Artikulli tjetërIsco, Pastore apo Oscar? Një fantazist për Juven