Afera me naftën, Interpoli arreston Xhillarin në Zvicër

Adrian Xhillari, i shpallur në kërkim prej vitit 2015 pasi kishte kontrabanduar 4.4 milionë litra naftë bruto për të shmangur akcizën, është arrestuar nga Interpoli në Zvicër. Burime nga Prokuroria e Fierit bënë të ditur se, Xhillari ishte ndaluar javën e kaluar në Zvicër, ndërkohë që pala shqiptare pret që ai të ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë. Të njëjtat burime thanë se, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar menjëherë letër-porosinë e shoqëruar me urdhër-ndalimin dhe dosjen hetimore në ngarkim të Xhillarit, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.
Administratori i kompanisë “Tea Construksion & Petrol sh.a”, Adrian Xhillari akuzohet për veprat penale “fshehje e të ardhurave”, “mospagim i taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe ndaj tij vazhdon të qëndrojë në fuqi masa e sigurimit “arrest në burg” e dhënë në mungesë.
Sipas organit të akuzës, kompania e Adrian Xhillarit, “Tea Construction & Petrol”, ka kontrabanduar 4.4 milionë litra naftë bruto për të shmangur akcizën, duke e shitur naftën në tregun vendas, kryesisht në Fier, Vlorë, Durrës, Shkodër dhe Tropojë. Sipas Prokurorisë, gjithçka ka nisur në maj të vitit 2010, ku “Tea Construction & Petrol”, ka blerë nga Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh sasinë prej 5.6 milionë litra “naftë virxhin”, e cila ishte e depozituar në një depozitë në Ballsh dhe në 4 depozita në Kodër Mëzez, Tiranë.
Pas 3 vitesh, në janar të 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka kryer një kontroll tatimor në subjektin “Tea Construction & Petrol”, ku ka rezultuar se në depozitat në Kodër Mëzez gjendej në total sasia prej 4.4 milionë litra lëndë djegëse, e cila është cilësuar si naftë “virxhin”, pasi nuk plotësonte standardet. Rreth 7 muaj më vonë, në janar të 2014, pas kontrollit të bërë nga tatimet dhe doganat, administratori i “Tea Construction & Petrol”, Adrian Xhillari, ka kërkuar nga Drejtoria e Doganave heqjen e plumçeve nga magazinat e naftës në Kodër-Mëzez, në mënyrë që të bënte lëvizjen e naftës drejt rafinerisë së Ballshit.
Sipas dokumenteve, nga data 15-21 gusht 2015, “Tea Construction & Petrol” ka kryer lëvizjen e naftës virxhin, nën pezullim akcize, nga depozitat në Kodër-Mëzez, për në Rafinerinë e Ballshit, në një sasi prej 4.4 milionë litrash, e cila është depozituar në depozitën G-43. Por në datë 2 qershor 2015, grupi i “Crown Agents” dhe Dega e Doganës Fier, kanë zbuluar gjatë kontrollit në depozitën G-43 se depozitat ishin bosh. Referuar sasisë së naftës, vlera e akcizës së papaguar është 242.755.600 lekë.

Kontrabanda 4.4 milionë, si u hodh në treg nafta virxhin

Pas arrestimit të shtatë zyrtarëve të Drejtorisë së Doganave, javën e parë të muajit dhjetor 2015 të akuzuar për “zhdukjen” e 4.4 milionë litrave naftë “Virxhin”, Prokuroria zbardhi skemën si ka ndodhur krimi i rëndë. Sipas Prokurorisë, vepra është kryer nga “Tea Construction & Petrol”.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se kompania e Xhillarit ka blerë nga rafineria e Fierit naftë “Virxhin” për eksport të cilën fillimisht e ka depozituar në depozitat e marra me qira në Mëzez të Tiranës. Më pas, gjatë periudhës 15 deri 21 gusht të 2014 me leje të zëvendësdrejtoreshës Njebza ka përpiluar raportet e dërgimit të sasisë prej 4.4 milionë litër naftë “Virxhin” drejt rafinerisë së Ballshit. Po më 21 gusht doganieri tashmë i arrestuar, ka përpiluar një procesverbal fiktiv, duke shënuar se ka dyllosur depozitat me naftë “Virxhin” të një sasie prej 4.4 milionë litër.
Ndërkohë, në qershor të 2015 është ushtruar kontroll në këto depozita nga inspektorët doganorë, ku ka rezultuar se të gjitha depozitat ku mendohet se mbaheshin 4.4 milionë litër naftë “Virxhin” janë bosh. Kjo ka bërë që Prokuroria të dyshojë se ata janë shpërndarë dhe shitur nëpër pika karburanti në gjithë Shqipërinë nga kompania e Xhillarit. Duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore me vlerë rreth 250 milionë lekë të reja.

Si tentoi qeveria të fshehë skandalin e naftës virxhin

Ishte presioni i opozitës që bëri të dështonte skenari i qeverisë për mbulimin e vjedhjes së akcizës nëpërmjet tregtimit të paligjshëm të naftës virxhin. Për të fshehur skandalin e vjedhjes së miliona eurove nga nafta virxhin, në qershor të vitit 2014, Lula Njebza nga kryetare dogane në Lezhë u emërua kryetare dogane në Fier. Ajo qëndroi në këtë detyrë deri dy javë para se të arrestohej më nëntor të vitit 2015. Emërimi i saj në krye të doganës së Fierit u bë për të mbuluar gjurmët e skandalit me Xhillarin. Ajo ka qenë nëndrejtoreshë e doganave, si dhe drejtoreshë akcize.
Çelësi i hetimit ishte në doganën e Fierit, pasi të gjitha shkresat për evadimin e kësaj sasie si dhe kontrollin e depozitave e kishte dogana e Fierit. Në këtë doganë mblidhen rreth 50% të të ardhurave të akcizës së naftës në raport me planin e përgjithshëm. Pra, ky emërim ishte mjaft i rëndësishëm dhe nuk mund të kalonte pa pëlqimin e kryeministrit.
Edhe vetë Xhillari nuk mund të vepronte pa lejen e ndonjë shefi të madh, pasi në lojë ishin shuma të mëdha parash. Çështja u tentua të hetohej nga drejtuesit e mëparshëm dhe më pas, ata dhanë dorëheqjen. Në nëntor 2014 dha dorëhqejen drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali. Atëherë u fol dorëheqja e Spiropalit që lidhet me këtë çështje, pra është një dorëheqje presioni.
Një zyrtar i doganës që i tregoi zëvendësdrejtorit Shtylla se çfarë kishte ndodhur u largua nga puna, pasi u kërcënua me jetë nga qarqe kriminale, duke përdorur dhe punonjës policie të krimeve. Madje, deri në sajesa për ta arrestuar në një skenar identik i rastit “Zagani”.
Pikërisht në këtë periudhë bëri një vizitë në Tiranë, Ndihmëssekretarja Nuland. Fill pas këtij takimi kryetari i PD, Basha bëri disa deklarata që më pas tronditën qeverinë për skandalin e naftës virxhin dhe inkurajuan fillimin e procedimit për skandalin e naftës.
Kryetari i PD, Basha e denoncoi këtë skandal në një mbledhje të Grupit parlamentar të PD. “Muaj më parë kemi denoncuar kontrabandën kolosale të naftës virxhin në sasi prej qindra mijëra tonë që hyri në Shqipëri me dokumenta të falsifikuara sikur do ta çonin në rafineritë e naftës, ndërsa në fakt e hodhën në tregun e shitjes me pakicë, duke e përzier me karburantin që tregtohet për qytetarët që kanë në zotërim një automjet. Dëmi i kësaj kontrabande ishte i shumëfishtë. Miliona euro dëme për arkën e shtetit, mijëra e mijëra automjete të qytetarëve të dëmtuara nga cilësia e keqe e naftës së përzier, impakt shumë negativ në cilësinë e ajrit dhe mjedisit. Hetimi dhe ndëshkimi ligjor i këtij krimi të përbindshëm duhet të përfshijë gjithë rrjetin kriminal që e ka mundësuar, që nga komanduesit, kontrabandistët dhe shpërndarësit; është një imperativ për organet e drejtësisë, për të rikthyer besimin në forcën e ligjit, për të vënë në vend të drejtat e goditura hapur apo në mënyrë tinzare të qytetarëve nga xhepat e të cilëve janë zhvatur miliona, sepse kanë paguar si naftë të cilësisë së parë, naftën kallpe. Pse zvarritet ky hetim, pse mbahet i bllokuar, nga kush dhe përse? Prokuroria ka gjithë mbështetjen e opozitës dhe publikut për t’i shkuar në fund këtij hetimi, pa u ndalur para asnjë pengese”, deklaroi atëherë Basha në një mbledhje të Grupit parlamentar të PD.

GFI: Kontrabanda e naftës bruto, 70 milionë dollarë në vit

GFI Albania më datë 11 dhjetor 2015 bëri të ditur përmes një deklarate për shtyp se, evazioni fiskal në sektorin e naftës bruto vlerësohet të jetë në nivelin e 70 milionë dollarëve në vit. Sipas kompanisë së markimit dhe monitorimit të hidrokarbureve, kushtet e marrëveshjes konçesionare të GFI Albania me Autoritetin Kontraktues parashikonin markimin dhe monitorimin e karburanteve si dhe të naftës bruto, por Autoriteti nuk respektoi detyrimin ligjor dhe kontraktual të markimit të naftës bruto.
GFI ka listuar gjithashtu arsyet, që kjo kompani ka kontribuar në luftën ndaj evazionit fiskal në Shqipëri. “GFI Albania ka punuar që nga viti 2013 vetëm me 30% të kapacitetit të planifikuar. Megjithë humbjet financiare të akumuluara gjatë këtyre dy viteve, ne jemi krenarë për kontributin tonë në luftën kundër evazionit fiskal:
• Sepse përmes punës së GFI Albania, buxheti i shtetit gjatë vitit të fundit i ka rritur të ardhurat me 60 milionë USD shtesë, në një kohë që shumë tregues të tjerë fiskalë kanë pësuar rënie;
• Sepse kemi zbuluar dhe i kemi raportuar me prova Autoritetit Kontraktues, që disa qindra pika karburanti në vend furnizonin qytetarët me karburante kontrabandë apo të përziera, duke shkaktuar kështu jo vetëm humbje fiskale, por edhe dëme për ambientin, mjetet motorike dhe shëndetin publik;
• Sepse i kemi vënë në duar Autoritetit Kontraktues një instrument të teknologjisë së lartë, që duhet të përdoret për të luftuar evazionin fiskal edhe në sektorin e naftës bruto që vlerësohet të jetë në nivelin e 70 milionë dollarëve në vit”, thuhet në njoftim.
GFI theksonte se, “markimi dhe monitorimi i naftës bruto është detyrim ligjor si dhe instrumenti i duhur për të luftuar evazionin në këtë industri, ndaj kompania do të vijojë programin e saj, duke vënë në punë sistemet dhe teknologjitë që i shërbejnë këtij qëllimi”.

Xhillari i “naftës virxhin” hetohet edhe për pastrim parash

Adrian Xhillari, akuzohet nga Prokuroria edhe për një vepër të re penale. Njësia Task Forcë e Prokurorisë ka ngritur ndaj tij akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Adrian Xhillari ishte aksioner i vetëm në kompaninë “TEA OIL ITALIA” me zotërimin e gjithë aksioneve. Në vitin 2013, në muajin mars, shtetasi i huaj Amiran Dzanashvilli rezulton se është bërë bashkortak i kompanisë së Xhillarit, duke blerë 51% të aksioneve. Një sasi prej 1.8 milionë lekësh të rinj ka kaluar në llogaritë e Adrian Xhillarit, i cili më pas ka krijuar shoqërinë “Tea Construction & Petrol”.
Për këtë subjekt, Prokuroria e Fierit ka ngritur akuzën e kontrabandës me vlerë rreth 2 milionë euro përmes hedhjes në treg pa zhdoganuar e pa përpunuar naftën virgin, e cila është e ndaluar të shitet në atë gjendje. Rreth 12 muaj pas shitjes së aksioneve, shtetasi i huaj Amiran Dzanashvilli ia ka kthyer aksionet Adrian Xhillarit, siç rezulton në dokumente, kësaj here jo duke ia blerë, por duke ia falur.
Në këtë kohë, shtetasi i huaj ka firmosur një kontratë ku deklaron se po ia kthen aksionet Xhillarit për t’ia falur. Pikërisht një veprim i tillë, sipas Prokurorisë, dyshohet se është kryer për të pastruar një shumë të konsiderueshme parash në emër të kompanisë “TEA OIL ITALIA”.
Për këtë subjekt, sipas Prokurorisë, Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë Policisë së Shtetit ka konstatuar miliona transaksione të dyshimta dhe për pasojë ka paraqitur edhe kallëzimin penal përkatës.

Artikulli paraprak“Del i përmirësuar nga spitali”: Mediat greke publikojnë kartelën klinike të Ramës
Artikulli tjetërSkandali Tahiri-Kodheli, dëshmia për anijet e drogës