Afera, koncesioni në rrugën e “Kombit” do të menaxhohet nga një kompani e huaj

Konsorciumi “Catalyst” i kompanive shqiptare që ka marrë me koncesion autostradën e Kombit, do të japë menaxhimin ndaj një kompanie të huaj. Burimet pranë koncesionit pohuan se janë duke negociuar me kompani të mëdha italiane me përvojë në mirëmbajtjen e autostradave me koncesion. Kompania italiane, Autostrade per L’Italia, do të menaxhojë shërbimin në lidhje me pagesat dhe mirëmbajtjen, ndërsa koncesioni është në pronësi të kompanive të njohura shqiptare Salillari dhe Kastrati. Mirëpo do të duhen edhe disa muaj deri sa koncesioni të bëhet aktiv. Procesi i inventarit për dorëzimin e objektit nga shteti tek koncesionari ka zgjatur për shkak të disa mangësive që janë gjetur në punime. Burimet nga grupi i punës që është duke u marrë me inventarin e objektit pohuan se, nga verifikimet në terren janë gjetur investime të pakryera në bankina dhe në muret mbajtëse, ndërsa ishin raportuar si të kryera. Gjithashtu për t’i paraprirë vendosjes së trarëve të pagesës po hapet një rrugë e ndërmjetme anës malit ku kalon tuneli i Thirrës. Instalimi i trarëve të pagesës kërkon kohë, ndaj për të mos bllokuar trafikun lëvizja do të vijojë në rrugën e re. Mirëmbajtja në rrugën e “Kombit” është dhënë për një afat 30-vjeçar. Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30-vjeçar. Në këmbim do të mbledhë dhe do të mbajë të ardhurat nga taksa, e cila për automjetet e vogla është 5 euro dhe më pas do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe për të financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit. Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë koncesionarin në 13 vitet e para të paktën 65 milionë euro, si subvencion për trafikun e munguar.

Artikulli paraprakÇfarë po ndodh? Monedha e lekut pëson zhvlerësim masiv?
Artikulli tjetërKosova, Kushtetuta s’ka zgjidhje për krizën në Kuvend