Aeroportet më të mira në rajon, “Nënë Tereza” nuk është mes tyre

Teksa Shqipëria po përgatitet për sezonin e ri turistik, dy destinacione të reja me kosto të ulët pritet të ndikojnë në rritjen e numrit të pasagjerëve në rrugë ajrore. Në datë 5 prill do të jetë Wizz Air që do të nisë fluturimet direkte nga Budapesti e më pas nga data 10 maj do të jetë Transavia (Air France), e cila do të nisë fluturimet nga Tirana për në Amsterdam.
Në total janë rreth 17 kompani ajrore që realizojnë fluturime me destinacionet europiane, kryesisht ato italiane. Në vitin 2016, numri i pasagjerëve arriti në rreth 2.1 milionë persona ose rreth 8.2% më shumë se në vitin 2015. Por, pavarësisht kësaj Shqipëria, nuk po arrin të konkurrojë fort me aeroportet fqinje.
Së fundmi, në Skytrax World Airport Awards që u zhvillua në Amsterdam, aeroportet më të mira të Europës Juglindore u shpallën ai i Beogradit “Nikola Tesla” dhe i Shkupit “Aleksandri i Madh”. Asnjë nga aeroportet e rajonit nuk arriti do të përfshihej në 100 aeroportet më të mira të botës. 2017 World Airport Awards u nominuan nga 13.82 milionë pasagjerë të 105 nacionaliteteve dhe përfshinë 550 aeroporte.
Nga ana tjetër, jo vetëm që aeroporti i Rinasit nuk ka konkurrent, pra është i vetmi operator në vend, por edhe shteti vetëm i rrit taksat nga viti në vit. Kështu, Albcontol ka nisur nga janari të vjelë tarifë fikse më të lartë për çdo fluturim, që niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Sipas njoftimit të publikuar nga Eurocontol vihet re se pagesa është dukshëm më e lartë se ajo që është aplikuar gjatë vitit 2016.
“Taksimi për pagesën mbi terminalin për çdo fluturim që niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës për vitin 2017 është 202 euro. Norma e interesit për pagesat e vonuara të detyrimeve të terminalit është 9.88%. Pagesat duhet të bëhen vetëm në euro. Organizata Eurocontol është e ngarkuar në mbledhjen e pagesave të terminalit në emër të Albcontol”, thuhet në njoftimin e Eurocontol. Kjo tarifë vitin e kaluar ishte 158.7 euro, ndërkohë që norma e interesit për pagesat e vonuara ka qenë më e lartë, konkretisht në 10.06 për qind.
Edhe pse 1 vit më parë ndryshoi marrëveshja e TIA me qeverinë shqiptare dhe u lejua të ndërtohej një aeroport i ri në Kukës, ende nuk është bërë asnjë hap nga qeveria në këtë drejtim. Me ndërtimin e një aeroporti të ri në vend, do të rritej konkurrenca dhe për pasojë do të kishim bileta më të lira. Aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) që nga tetori i 2016 janë blerë nga një kompani kineze me bazë në Hong Kong.

Artikulli paraprakRezervat shtetërore janë të pamjaftueshme
Artikulli tjetërMaqedonia ul sërish çmimin e naftës, po Shqipëria?