Absurdi i shifrave të privatizimit të “Rrugës së Kombit”

Fillimisht shqiptarët paguan për “Rrugën e Kombit” taksën “Majko”. U mblodhën 250 milionë euro, por nuk u ndërtua asnjë metër rrugë.
Taksa vjetore që shqiptarët paguajnë për mirëmbajtjen e rrugëve llogaritet sipas zv.ministrit të Ramës në 470 milionë euro në vit, por asnjë euro e vetme nga këto që paguhen nuk ka shkuar gjatë këtyre 5 viteve për të ndërtuar qoftë edhe një kilometër rrugë apo për të mirëmbajtur një rrugë.
“Rruga e Kombit” përllogaritet sipas qeverisë aktuale se ka kushtuar 1.2 miliardë dollarë dhe ka bashkuar fizikisht Shqipërinë me Kosovën.

Ministrat e Ramës thonë se do të marrin nga xhepi i taksapaguesve edhe 220 milionë euro të tjera për vetëm katër ura që sipas tyre do të ndërtohen në segmentin e mbetur, një shifër e fryrë sipas qejfit të Kryeministrit-vizë.
Më e bukura vjen në fund. Pasi nuk kanë mjaftuar rreth 2.5 miliardë dollarë në total për ndërtimin dhe mirëmbajtjen vjetore të “Rrugës së Kombit” të paguara nga shqiptarët, Rama i vendos edhe pagesën e fundit përmes koncesionit prej 10 eurosh vajtje-ardhje. Shuma që duhet të paguajnë vetëm për këtë koncesion të Ramës arrin shifrën e rreth 400 milionë eurove për 35 vitet e ardhshme.
Pra, e përllogaritur ndryshe. Vetëm për taksat e vendosura nga Rama dhe bashkë me taksën Majko, shqiptarët kanë paguar dhe duhet të paguajnë plot 1.34 miliardë euro. Më këto shuma do ndërtohen vetëm 4 ura.
Ndërkohë për të gjithë “Rrugën e Kombit” janë shpenzuar për ndërtimin e saj 1.2 miliardë dollarë.
E thënë ndryshe; sa lirë na ka kushtuar ndërtimi i kësaj rruge dhe sa shtrenjtë privatizimi i saj nga Rama.

Artikulli paraprakKronologjia e një revolte
Artikulli tjetërVetëm bashkimi dhe reagimi largon Aleancën e Qelbësirave