Abrashi, mendjen te sfida me Italinë

Pas Armando Sadikut që po mendon të pajiset me pasaportën bullgare, për të mos u cilësuar më një lojtar ekstrakomunitar në ligat europiane, pasaportat e vendeve të tjera i shërbejnë thuajse të gjithë futbollistëve kuqezi. Mbi të gjitha atyre që kanë lindur apo janë rritur në Zvicër. Edhe pse përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ata cilësohen si lojtarë europianë, element që ia lehtëson transferimin në skuadra dhe aktivizimin në fushë.
Por, në rastin e Amir Abrashit, pasaporta zvicerane i ka shërbyer edhe në kontrollet doganore, gjatë udhëtimeve të shpeshta të futbollistit. Gjatë një interviste për “Badische-zeitung”, mesfushori 26-vjeçar deklaroi se “jo të gjitha vendet e njohin pasaportën diplomatike” të marrë pas kualifikimit të kombëtares në Kampionatin Europian dhe “shpesh kërkojnë dokumente shtesë”.
I rikthyer në fushë më 4 shkurt, pas gjashtë javëve mungesë për shkak dëmtimi, Amir Abrashi është i përqendruar jo vetëm te Freiburg-u, por edhe në sfidën e 24 marsit, ku Shqipëria do të luajë në Itali, në kualifikueset e Botërorit 2018. Mesfushori do të bëjë të pamundurën që të jetë pjesë e skuadrës së Gianni de Biasi-t, edhe sepse beson që ndeshja në Palermo do të jetë në festë të futbollit, me Shqipërinë që do të provojë të rikthehet te rezultatet pozitive, pavarësisht se “të kaltërit”, së bashku me Spanjën, janë dy skuadrat favorite të Grupit G.
Armando Sadiku do të pajiset me pasaportë bullgare përveç asaj shqiptare për të luajtur si futbollist komunitar në kampionatet elitë në Europë. Sulmuesi i përfaqësueses së Shqipërisë, synon të shfrytëzojë faktin që gjyshërit e tij janë edhe nënshtetas  bullgarë, për të marrë pasaportën e vendit ballkanik, që është pjesë e Bashkimit Europian. Një lëvizje e zgjuar kjo e futbollistit të Luganos në Zvicrës që do ta ndihmonte të transferohej në kampionate më elitare në Europë.

Artikulli paraprakEuro nuk ndryshon në bursa, zhvlerësohet ndjeshëm në vend
Artikulli tjetërInteri kërkon Luis Muriel