A ka ushtri sot Turqia? 120 gjeneralë janë arrestuar

Gjendja e jashtëzakonshme tremujore ka filluar dje në Turqi, me arsyetimin e Presidentit, Recep Tayyip Erdogan, se ishte e domosdoshme dhe se me këtë lëvizje nuk shkelet sundimi i ligjit ose liritë themelore të shtetasve. Ai theksoi se ky vendim është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Turqisë.
“Qëllimi i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme është që të kemi mundësi të ndërmarrim hapa të shpejtë dhe efektivë kundër këtij kërcënimi ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtat dhe liritë e shtetasve tanë. Kjo praktikë absolutisht nuk është kundër demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë, përkundrazi, ka për qëllim mbrojtjen dhe forcimin e këtyre vlerave”, tha Recep Tayyip Erdogan.
Autoritetet thonë se gjendja e jashtëzakonshme do t’u mundësojë ndërmarrje të aksionit kundër atyre që janë përgjegjës për puçin e dështuar ushtarak të javës së kaluar, nga i cili janë vrarë mëse 260 vetë dhe 1,500 të tjerë janë plagosur.
Qeveria e zotit Erdogan tha se “virusi i kancerit” brenda disa institucione shtetërore ka çuar në përpjekjen për grushtshtet më 15 korrik dhe i ka filluar spastrimet masive në institucionet shtetërore.
Mediat raportojnë se në një lëvizje të pazakonshme, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, dje herët në mëngjes, zoti Erdogan është falur nëpërmjet altoparlantëve në një xhami brenda pallatit të tij presidencial. Sipas mediave turke, pak kohë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, janë arrestuar edhe 32 gjyqtarë dhe dy oficerë ushtarakë.
Qeveria e Presidentit Erdogan deri tash i ka shkarkuar, suspenduar ose arrestuar afro 6 mijë policë, gjyqtarë, shërbyes civilë dhe mësues, në ndëshkimet e paprecedent pas puçit të dështuar, që i ka befasuar liderët botërorë.
Gati një e treta e 360 gjeneralëve që shërbejnë në ushtrinë turke është arrestuar. Ministria e Mbrojtjes po zhvillon hetime ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe i ka suspenduar 262 prej tyre, ka raportuar transmetuesi “NTV”, ndërsa 900 oficerë të policisë në Ankara janë suspenduar.
Gjatë këtyre ndëshkimeve veçanërisht është goditur sistemi i arsimit. Ministria e Arsimit ka njoftuar se janë pezulluar mëse 20 mijë punëtorë në shkolla.
Qeveria i ka filluar edhe procedurat për mbylljen e mëse 600 institucioneve shkollore, shumica prej tyre private, ndërsa 21 mijë mësuesve në institucionet private u është marrë licenca. Mëse 1,500 dekanë universitarë janë detyruar të paraqesin dorëheqje.
Shumë prej mijëra personave të goditur nga qeveria, supozohet se janë mbështetës të klerikut islamik, Fethullah Gulen, i cili vullnetarisht jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara. Këtë klerik, Presidenti Erdogan e fajëson për përpjekje të puçit.
Gulen, 75-vjeçar, ish-aleat i zotit Erdogan, e ka dënuar përpjekjen për grushtshtet dhe i ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në puç.
Në reagimin e parë ndaj shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka kërkuar që në Turqi të respektohet sundimi i ligjit dhe ndjenja e proporcionalitetit në përgjigjen ndaj përpjekjes për puç.
I pyetur se nëse përgjigjja e qeverisë turke ishte e tepruar, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha:
“Do të ishte jopërkatëse për të komentuar pasi nuk e dimë se çfarë dëshmi ekzistojnë. Ne e mbështesim ndaljen e puçit nga ana e qeverisë. Ne e mbështesim qeverinë demokratike. Ne i mbështesim zyrtarët e zgjedhur në mënyrë të rregullt. Ne e dënojmë këtë puç dhe ne jemi të qartë për dëshirën tonë për të parë se në Turqi demokracia po qëndron dhe zhvillohet”, tha John Kerry.

Mbi 60 mijë të penalizuar

Radio “Europa e Lirë” sjell rezultatet e mëposhtme të operacionit të spastrimit të kundërshtarëve dhe kritikëve nga Presidenti Erdogan deri më sot:
21 000 mësuesve u është hequr licenca;
15 770 dekanë dhe rektorë universiteti u është kërkuar dorëheqja;
15 000 mësues janë pushuar nga puna;
7 500 ushtarakë janë ndaluar, përfshi 85 gjeneralë dhe admiralë;
8 000 policë janë pezulluar nga detyra;
1 000 policë janë arrestuar;
3 000 punonjës të sistemit të drejtëssië janë pushuar;
1 481 gjykatës janë pezulluar nga detyra;
1 500 punonjës të Ministrisë së Financave janë hequr nga detyra;
492 predikues, mësues fetarë dhe klerikë të tjerë janë hequr;
393 punonjës të Ministrisë së Punëve Sociale janë pushuar;
257 punonjës të Kryeministrisë janë pushuar nga detyra;
100 punonjës të shërbimeve të inteligjencës janë pezulluar.
Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjaste tre muaj, tha zoti Erdogan në një fjalim televiziv mbrëmjen e së mërkurës pas mbledhjeve të gjata me këshillin e tij të sigurisë kombëtare dhe më vonë me kabinetin e tij.
Zoti Erdogan tha se gjendja e jashtëzakonshme do të përdoret për të marrë hapa më efikase për t’u kthyer në demokraci dhe shtetin e së drejtës. Udhëheqësi turk tha se gjatë kësaj kohe forcat e armatosura nuk do të marrin kontrollin e vendit.
Mbrëmë, qindra mbështetës të Presidentit Erdogan mbushën përsëri sheshin “Taksim” të Stambollit dhe sheshe të tjera publike në të gjithë Turqinë për të treguar mbështetje për udhëheqësin turk dhe për të shmangur atë që zoti Erdogan thotë se mund të jetë një përpjekje e dytë për grusht shteti.

Artikulli paraprakBizneset kundër paketës së re fiskale të qeverisë
Artikulli tjetërAbuzimi me çmimet e ilaçeve, dyfish më shtrenjtë nga vlera normale