90 milionë euro import energjie, por OSHEE del në treg edhe për nëntor-dhjetorin

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare hapi procedurën për importin e energjisë në muajin tetor. Në dokumentet e kësaj procedure rezulton se kërkohet një sasi të paktën 4500 MWmë e lartë se në muajin paraardhës. Në të njëjtën ditë duket se edhe OSHEE ka shpallur procedurën e importit, por duke kërkuar përveç plotësimit të sasisë që duhet për tetorin edhe sigurimin e ofertave për nëntorin e dhjetorin.

Procedura e KESH

KESH është duke përdorur për importet transhin e dytë të kredisë me Bankën Botërore, e cila përmes programit të rimëkëmbjes ka një fond prej 22.4 milionë eurosh vetëm për rastet e emergjencës. Subjektet e interesuara duhet të paraqesin ofertat pranë KESH deri më 27 shtator ndërkohë që vlefshmëria e tyre duhet të jetë deri më 28 shtator 2017. Periudha e importeve do të jetë nga data 1 deri më 31 tetor nga 00:00-24:00. Në total sasia që do të importohet nga ana e KESH është 134 100 MWkurse pjesa tjetër që duhet për të plotësuar furnizimin në vend do të bëhet nga ana e OSHEE-së. KESH në shtator kërkoi të importonte 129 600 MW energji, ndërkohë që në mbyllje të procedurës u importuan vetëm 115 200 MW me një çmimi mesatar prej 62.33 euro/MWdhe shuma totale e shpenzuar ishte 7.18 milionë euro.

Procedura e OSHEE

OSHEE ka hapur procedurën e saj, e cila konsiston në katër lote. Tek i pari kërkohet energji me fuqi deri në 120 MW për periudhën 1 tetor deri më 31 tetor dhe lëvrimi të bëhet përgjatë 24 orëve të çdo dite. Në lotin 2 priten oferta për periudhën 1-31 tetor me një fuqi deri 60MW dhe për një kohë furnizimi 16 orë në ditë nga 06:00-22:00. Në lotin e tretë operatorët e interesuar mund të ofrojnë energji me fuqi deri 100MWdhe për një kohë furnizimi 24 orë për periudhën nga 1 nëntori deri më 30 nëntor. Loti i katërt parashikon furnizimin nga 1 deri më 31 dhjetor ku furnizimi të jetë 24 orë në ditë dhe me fuqi deri në 200 MW. Jo rastësisht kompania e shpërndarjes ka përfshirë katër lote në procedurën e saj, duke kërkuar kombinimin e ofertave më të mira që do t’i sjellin asaj edhe kursim në fonde. Përmirësimi disi i kushteve klimatike në vend, por edhe në rajon pritet që të lehtësojë disi negociatat për sigurimin e importeve që për shtatorin shkuan deri në pesë raunde si asnjëherë më parë. Operatorët e interesuar për të shitur tek OSHEE duhet të paraqesin ofertat e tyre deri më 28 shtator.

Kostoja financiare e importeve

Situata e thatësirës së këtij viti vuri në vështirësi kompanitë e sektorit energjetik ku peshën kryesore e mbajti OSHEE, duke importuar me fondet e veta ndërkohë që KESH kishte në punë HEC-et në kaskadën e Drinit duke përpunuar vetëm prurjet minimale. Importet nga qershori deri më tani u kanë kushtuar në total 90 milionë euro, ndërkohë që kjo shifër pritet të rritet pas përfundimit të procedurave të tetorit nga KESH dhe OSHEE.

Artikulli paraprakTabaku: Ekonomia në vështirësi nga detyrimet e prapambetura të OSHEE
Artikulli tjetërVokshi: Në Tiranë qeverisin pasardhësit e komunistëve