80 mijë euro për të ekzekutuar aktorin në Tiranë, ja kush e porositi

Zbardhen detaje nga atentati me armë ndaj aktorit te gjimnazi “Partizani” në Tiranë. Policia në një deklaratë për mediat sqaroi sot se atentati që përfundoi me plagosjen e aktorit Mishel Manoku (Prela) ishte i porositur me qëllim vrasjen e tij, madje kundrejt një shume të madhe parash.
Për këtë krim, sipas kreut të Policisë së Tiranës, Ardi Veliu, janë paguar 80 mijë euro për të vrarë Manokun. Në pranga sipas Veliut janë vënë, porositësi, ekzekutori dhe bashkëpunëtorët e tyre. Si ekzekutor është arrestuar Shkëlzen Buci nga Peshkopia dhe një bashkëpunëtori i tij.
Pas atentatit të ndodhur të enjten në mbrëmje përballë gjimnazit “Partizani” në Tiranë, qëndron një grup i strukturuar kriminal. Policia e Tiranës njoftoi se ka mundur të zbardhë këtë ngjarje, ku mbeti i plagosur Mishel Prela, për vrasjen e së cilit do të jepej një shumë prej 80 mijë eurosh.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 20.07.2017, në rrugën Tafaj, përballë shkollës së mesme “Partizani” Tiranë, ku është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Mishel Prela, ju informojmë se: Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të strukturave të policisë, kryerjes së veprimeve profesionale dhe hetimore paraprake në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, grumbullimit të provave në vendngjarje, si dhe nga informacionet e marra nga vetë strukturat policore, është bërë e mundur që brenda 24 orëve të zbardhet dhe të dokumentohet e gjithë ngjarja”, tha drejtori i Policisë së Tiranës.
Ai sqaroi se, kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë e mbetur në tentativë, nga një grup i struktruar kriminal. Policia ka arritur të arrestojë të gjithë anëtarët e grupit, duke filluar nga porositësi, ekzekutori dhe përkrahësit pas kryerjes së krimit.
Ervin Zallumi, 30 vjeç, nga Tirana, sipas policisë është personi që ka porositur vrasjen e Mishel Prelës, kundrejt shumës prej 80.000 eurosh, shumë të cilën do t’ia jepte Shkëlzen Bucit dhe bashkëpuntorëve të tij.
34-vjeçari Shkëlzen Buci, gjithashtu i arrestuar, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, ka qenë në rolin e ekzekutorit, të cilit i është gjendur dhe sekuestruar arma e krimit, pistoletë model 54 (TT). Miklar Tola 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, sipas policisë është bashkëpunëtor në tentativën e vrasjes. Trim Hidri, 41 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili ka bërë të mundur largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit, të autorëve të krimit. Ermir Tola, 22 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, vëllai i Miklar Tolës, pjesëtar aktiv i këtij grupi kriminal. Motivi i kësaj ngjarjeje është hakmarrja.

Artikulli paraprakA do të guxojë Berlini të zëvendësojë Londrën?
Artikulli tjetërShpërthen makina në ecje në Milot, plagoset shoferi