65% e studentëve duan të ikin

Ekziston një lidhje e fortë midis edukimit dhe dëshirës për migrim. Të dhënat e anketës 2018 tregojnë se migrimi potencial është më i lartë për personat që kanë edukim profesional, terciar dhe sekondar. Profesor Gëdeshi thotë se ky fakt shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit të personave që zotërojnë aftësi në vende si Gjermania dhe në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian dhe SHBA.
Globalizimi po i bën tregjet e punës gjithnjë e më konkurruese, çka do të thotë se vendet e zhvilluara do të tërheqin gjithnjë e më shumë punonjës të kualifikuar nga vendet në zhvillim. Ikja e kësaj kategorie ndodh edhe për faktin se personat e kualifikuar dhe të arsimuar janë të pakënaqur me mundësitë e punësimit dhe kushtet e punës në Shqipëri.
Një krahasim me anketën e vitit 2007 shihet një përmbysje e tendencës. Të dhënat e anketës të vitit 2007 tregonin se sa më i ulët ishte niveli arsimor, aq më e lartë ishte dëshira për migrim. Rreth 10 vite më parë, 75% e personave të pashkolluar dëshironin të emigronin, ndërsa aktualisht duan të emigrojnë vetëm 20%. Kjo shpjegohej me faktin se njerëzit e paarsimuar dhe të pakualifikuar ishin të papunë ose kishin vështirësi në gjetjen e një pune në Shqipëri dhe dëshironin të migronin (kryesisht në Itali dhe Greqi).
Ndërsa ata që zotëronin një profesion, ose kishin një arsimin më të lartë, e kishin më të lehtë të integroheshin në tregun e punës në Shqipëri. Ndërsa në vitin 2018, personat me universitet dhe master nuk shohin perspektivë në Shqipëri, pasi 53% e tyre planifikojnë të ikin, në raport me 40% që kishin plane të tilla më 2017. Dëshira për t’u larguar është rritur edhe te të rinjtë me shkollë të mesme, pasi 53-57% e tyre duan të ikin, me një rritje 12-13% në krahasim me anketën e vitit 2007.

Raporti i edukimit me migrimin lidhet edhe destinacionet e reja ku duan të ikin shqiptarët. Personat e kualifikuar gjithnjë e më shumë dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, Amerikën e Veriut dhe në vende të tjera shumë të zhvilluara të Europës Perëndimore. Kurse personat me më pak edukim dëshirojnë të ikin më shumë në Greqi dhe pjesërisht në Itali, ku nëpërmjet rrjeteve sociale mund të gjejnë punë të pakualifikuara, qoftë edhe në sektorin informal.
Profesor Gëdeshi thotë se raporti midis migrimit potencial dhe edukimit ka edhe një anë tjetër që duhet shfrytëzuar nga politikëbërësit në të ardhmen. Dëshira për të migruar në Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore mund të shërbejë si nxitje për arsimim, kualifikim profesional dhe mësimin e gjuhës së huaj nga ana e emigrantëve potencialë. Sipas një interviste të zhvilluar në Institutin Goethe në Tiranë, numri i të rinjve që mësojnë dhe marrin dëshminë e gjuhës gjermane është rritur tre herë në vitin 2017, në krahasim me vitin 2013. Në shumë nga intervistat e realizuara nga CESS-i me azilkërkuesit e kthyer nga Gjermania, vërehej interesi për të kryer shkolla profesionale në mënyrë që t’u përshtaten kërkesave të tregut të punës në këtë vend, në rast të një migrimi të mundshëm .
Ky interes në rritje i emigrantëve potencialë për arsim dhe trajnim profesional provohet edhe nga të dhënat e anketës. Kështu, thuajse 85% e emigranteve potencialë dëshirojnë të marrin pjesë në një trajnim në Shqipëri për t’u përgatitur për të jetuar dhe për të punuar jashtë vendit. Emigrantët potencialë që dëshirojnë të marrin pjesë në këto kurse shprehin më shumë interes për mësimin e gjuhës së huaj (72.3%), trajnim profesional (39.1%), orientim kulturor (22.9%) dhe studime universitare (17%) . Ky interes për t’u përgatitur për të punuar dhe për të jetuar në vendin e migrimit ka një rritje të dukshme në krahasim me anketën e vitit 2007, kur vetëm 48.7% e emigrantëve potencialë shprehte këtë dëshirë. Profesor Gëdeshi thotë se, kjo dëshirë duhet mbështetur, sepse rrit kapitalin human të vendit dhe atë të emigrantit potencial.

Artikulli paraprakEmigrimi, nis zbrazja e Vlorës, Tiranës, Elbasanit…
Artikulli tjetërPreferojnë të emigrojnë më shumë personat me paga mbi 1000 euro