640 trupa amerikane në Kosovë, Trump: Nuk do lejojmë që armiqësitë të ripërtërihen

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se rreth 640 ushtarë amerikanë do të mbesin në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

Në një letër drejtuar kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe kryesuesit të përkohshëm të Senatit, Chuck Grassley, presidenti i njoftoi ata vendosjen e trupave amerikane gjithandej nëpër botë, përfshirë edhe Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’u kontribuojnë forcave të KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja në bashkëpunim me autoritetet vendase, partnerët dypalësh dhe institucionet ndërkombëtare për të penguar ripërtëritjen e armiqësive në Kosovë. Afërisht 640 pjesëtarë të Ushtrisë amerikane shërbejnë në kuadër të 4 mijë trupave të KFOR-it”, thuhet në letrën e presidentit Trump.

Në muajin mars, senatori amerikan, David Perdue, nxiti debate në Kosovë me nje deklaratë në të cilën thuhet se Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë në Kosovë, nëse ajo nuk heq tarifat ndaj Serbisë, një qëndrim që u mbështet nga i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe i biri i presidentit Trump.

LEXONI EDHE KËTË
Perdue: SHBA duhet të rishqyrtojnë praninë në Kosovë nëse nuk hiqen tarifat
Një debat i tillë ishte pjesë e trysnisë amerikane ndaj qeverisë së Kosoëvs për të hequr pengesat për rifillimin e bisedimeve me Serbinë, të pezulluara që nga vjeshta e vitit 2018.

Postimi i senatorit Perdue, ngjalli reagime e shqetësime në Kosovë ku prania amerikane dhe përfshirja në proceset politike vlerësohen të pazëvendësueshme.

Artikulli paraprakGjermania mbyll kufijtë me Shqipërinë deri më 31 gusht
Artikulli tjetërKryeministër i dështuar, me Qeveri të falimentuar, që vazhdon të mendojë vetëm për 5 njerëz dhe ka braktisur 3 milionë shqiptarë