6 ndeshje pa fitore

Interi ka barazuar 1-1 në “finalen” përpara publikut të vet, në përplasjen e drejtpërdrejtë për një vend në Ligën e Kampionëve kundër Romës. Interi ka gjashtë ndeshje që nuk fiton. Luciano Spalletti komentoi atë që ndodhi pas vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit. I intervistuar nga mikrofonat e “Mediaset Premium”, trajneri toskan tha: “Ne e dimë se rivalët janë të formuar nga karakteri dhe mentaliteti. Duhet të punojmë çdo ditë si duhet. Në fillim kemi pasur potencial për të bërë një rrugë, por nuk mund ta përfundonim atë. E vërteta është se ne jemi Interi dhe duhet të gjejmë kurajë për të luftuar me ekipe si Roma, Napoli e Lazio, për katër vendet e para.
Nuk mund të presim që treni të kalojë dhe të tentojmë pastaj ta kapim atë. Duhet të luajmë si ekip, të sulmojmë dhe mbrojmë së bashku, por gjithashtu të lëvizim topin shpejt në zona të rrezikshme. Ndonjëherë kemi frikë se mos e pësojmë, ndonjëherë zhdukemi nga fusha dhe kjo nuk duhet të ndodhë. E përsëris, ne jemi Interi dhe nuk duhet të kemi frikë nga askush, nuk duhet të kërkojmë ndjesë për askënd. Ne jemi Interi dhe duhet të kemi guximin për të luftuar kundër skuadrave të mëdha për të arritur katër vendet e para”.
Inter dhe Roma do të ndajnë nga një pikë në supersfidën e javës së 20-të të Serie A pas rezultatit 1-1. Ishte një ndeshje me emocione në një “San Siro” të mbushur plot, por niveli i skuadrave linte për të dëshiruar. Shumë gabime që mund të evitoheshin, raste foshnjarake të humbura nga Inter dhe pa harruar golin e parë të Romës që erdhi nga një gabim i Santon.
Megjithëse ishin vendasit ata që kishin disa mundësi të mira dhe madje një penallti e padhënë ndaj Icardi-t, është Roma që kalon në avantazh krejt papritmas. Pas një topi të gjatë të portierit Alisson, Santon nuk orientohet mirë në fushë nga e majta duke mos u koordinuar për të larguar topin dhe i jep mundësinë El Shaarawy-t të futet brenda zonës dhe të shënojë golin e avantazhit.
Inter vazhdon të krijojë raste, por nuk është i qetë përpara portës. Edhe pas pushimit ka vetëm një ekip në fushë dhe ai është Inter. Roma vetëm mbrohet duke mos bërë asnjë përpjekje për të mbyllur ndeshjen.
Por Inter vazhdon të shpërdorojë deri në minutën e 86’ kur Vecino barazon gjithçka pas krosit të bukur të Brozoviç. Në minutat e fundit të ndeshjes ndeshja ishte e hapur, por skuadrat bënin gabime elementare dhe duhet të kënaqen me nga një pikë.
Forma e dobët është duke e përcjellë Interin edhe në këtë fillim të vitit 2018. Skuadra e Luciano Spallettit nuk di për fitore që nga triumfi i thellë më 3 dhjetor prej 5:0 ndaj ChievoVeronas. Nga atëherë, zikaltrit kanë pësuar dy humbje dhe kanë regjistruar katër barazime në gjashtë ndeshje me radhë. Por, Luciano Spalletti pas barazimit me Romën tha se nuk është i shqetësuar aspak për këtë.

Artikulli paraprakHazard: Babai im është në telashe prej Real Madridit!
Artikulli tjetër“Reali do të bëjë ofertë për Mohamed Salah”