50 raportet e SHISH për 127 policët e biznesit të drogës

Shërbimi Informativ Shtetëror ka raportuar 50 raste për 127 drejtues dhe punonjës policie të përfshirë në mbjelljen dhe trafikimin e kanabisit nga prilli i vitit të kaluar deri në mars të vitit 2017. Nga raportet e SHISH dalin fakte tronditëse që implikojnë jo vetëm drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve në Vlorë, Gjirokastër, Berat, Dibër, Krujë, Kurbin, Pogradec, Maliq etj., por edhe vartësit e tyre në çdo hallkë të policisë.
Edhe shoferët personalë të drejtorëve përmenden në raport, siç është rasti i Bulqizës dhe i Kurbinit. Edhe një shef qarkullimi nuk i ka rezistuar dot efektit të kanabizimit siç është rasti i Vlorës. Nuk kanë munguar informacionet kur edhe vetë agjentët e Antidrogës, kanë bashkëpunuar me trafikantët si në rastet e Lezhës, Sarandës dhe Korçës.
Deri tani, emrat e 127 policëve nuk kanë dalë në media, por nga leximi i vëmendshëm i Raportit të SHISH, del se shqetësimi më i madh ishte Vlora, Tepelena, Berati dhe Kruja. Janë në këto tre qytete ku përmenden me dhjetëra herë policët e dyshuar për bashkëpunim me kultivuesit dhe trafikantët e kanabisit. Emrat e policëve përmenden disa herë në raporte të ndryshme të SHISH, fakt që dëshmon se qeveria nuk pati asnjë reflektim për sinjalizimet e Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa Prokuroria nisi të veprojë pas reagimeve të shërbimeve të huaja.
Raportet e SHISH janë një dëshmi e fortë e implikimit të strukturave të Policisë së Shtetit në kanabizimin e Shqipërisë. Raportet e SHISH përmbajnë emra konkretë, elementë dhe detaje për përfshirjen e krerëve të policisë dhe policëve në këtë trafik droge, por çuditërisht qeveria nuk ka reaguar me institucionet e saj për të ndërhyrë ndaj tyre.
Kryeministri Rama sistematikisht është përpjekur ta fshehë kanabizimin e Shqipërisë, duke theksuar se, sipërfaqet e mbjella me drogë në Shqipëri janë më të ulëta se vitet e shkuara. Rama nxiti propagandën dhe makinën e tij mediatike për të thënë se ishte mbjellë më pak drogë dhe se qeveria e kishte luftuar më fort.
Në fakt, në asnjë rast kryeministri nuk përmendi përfshirjen e vartësve të tij dhe të Saimir Tahirit, në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Disa prej tyre janë eprorë të lartë në disa qarqe, të cilët nuk merrnin vetëm një “taksë” për të mbrojtur dhe mos shkatërruar parcela me kanabis, por ishin vetë në shumë raste, sipas raporteve, kultivues apo sponsorizues për mbjelljen e drogës.
Në raportin e SHISH janë përmendur 127 emra zyrtarësh policie dhe policësh, por nga këta, vetëm 5 prej tyre janë nën hetim, ndërsa pjesa tjetër ose janë larguar pa bujë nga policia ose u është ndryshuar detyra, duke vijuar të paguhen me para publike.
Para disa ditësh, Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi tre fletë arreste për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefin e Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila dhe ish-Shefin e Postës Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode, por ata u njoftuan nga elementë të inkriminuar në polici, duke i shpëtuar prangosjes. Prokuroria është e bindur se mosprangosja e tre ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Qarkut Vlorë, ishte dekonsperuar nga kolegët e tyre.
Oficerët e Policisë Gjyqësore, kishin arritur të binin në gjurmët e ish-funksionarëve të policisë dy ditë para se të lëshoheshin 3 urdhërat e ndalimit, por ata u njoftuan nga vetë strukturat policore, pasi të tre të kërkuarit ishin lokalizuar më herët dhe pritej vetëm arrestimi i tyre. Edhe pse në sistemin TIMS, Jaeld Çela ishte larguar më 22 tetor 2017 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit me një kompani fluturimi drejt shtetit turk, ai kishte hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë. Burime konfidenciale nga grupi hetimor pohojnë se, Çela kishte mundur të largohej përsëri jashtë territorit shqiptar mbëmjen e 20 nëntorit, duke i shpëtuar prangosjes.
Të njëjtën mënyrë kamuflimi kishin ndjekur edhe dy drejtuesit e tjerë të Policisë Vlorë. Sokol Bode ishte larguar me automjet nëpërmjet pikës kufitare të Muriqanit më datë 29 gusht të këtij viti. Ndërkohë, Gjergj Kohila ishte regjistruar në sistemin TIMS më 11 nëntor dhe kishte dalë nga pika kufitare e Kakavijës. Emrat e tre personave nën hetim, ishin regjistuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth një vit më parë, ku ish-drejtori i Qarkut Vlorë, Jaeld Çela, së bashku me dy vartësit e tij, kishin siguruar kushtet për paprekshmërinë e grupit kriminal të Habilajve. Në tetor të 2016-ës në zonën e Treblovës dhe Veshdanisht u sekuestruan rreth 23 tonë kanabis dhe u prangosën 6 persona.

Harta e informacioneve për policët e implikuar në biznesin e drogës

Vlora, përmendet në 25 raste
Kruja, në 24 raste
Korçë, Pogradec, Maliq, 19 raste
Berati, 19 raste
Dibër, 17 raste
Kurbini, 15 raste
Tepelenë, Memaliaj 12 raste
Gjirokastër, 12 raste
Delvinë, 6 raste

Artikulli paraprakQeveria, asnjë kompensim banorëve për përmbytjet
Artikulli tjetërPërmbytjet në Durrës, banorët ende presin ndihmë për dëmet