40 mijë punëtorë kërkon turizmi sot, po aq ikin çdo vit nga Shqipëria. Pse dështuam edhe me indianët?!

A ka zgjidhje? Pas Bangladeshit, Pakistanit, edhe indianët apo nigerianët po rezultojnë me kosto për punëdhënësit shqiptarë, madje pas mbërritjes në Shqipëri thyejnë lejet e qëndrimit dhe largohen në vendet e BE-së, duke i shtuar problemet të ardhmes sonë në familjen e përbashkët europiane

Ajo që ishte premtuar si zgjidhje nga politik-bërësit rezultoi një dështim i madh. Emigrantët nga Lindja e Mesme, të cilët do të zgjidhnin problemet e nevojës për fuqi punëtore, jo vetëm nuk zgjidhën gjë, por u kthyen në një problem të madh për vetën shtetin. Në tri vitet e fundit, të ardhur fillimisht nga Bangladeshi, nga Malajzia, Pakistani dhe së fundmi nga India, emigrantët pas një periudhë të shkurtër, e përdorën Shqipërinë si trampolinë për t’u larguar në një nga vendet e Bashkimit Europian. Mungesa e fuqisë punëtore për shumë biznese në vend që të merrte zgjidhje, është thelluar edhe më shumë.

Pas ankesave të vendeve anëtare të BE-së, Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka futur punëkërkuesit nga vendet e Lindjes së Largët në listën e zezë dhe ka bllokuar të gjitha aplikimet e këtij viti, në një kohë kur shumë biznese që operojnë në turizëm shprehen se kanë nevojë më shumë se kurrë për fuqi punëtore. Vlerësohen se sektori i turizmit kërkon rreth 40 deri në mijë punëtorë në prag të sezonit të ri turistik.

Emigrantët nga Lindja e largët rezultuan gjithashtu me kosto të papërballueshme edhe për punëdhënësit. Hartimi i dokumenteve, udhëtimi dhe deri te sigurimi i fjetjes, çuan në një kosto shtesë prej 5 mijë euro për çdo kandidat të mundshëm për punëdhënësin shqiptar. Por pas mbërritjes, emigrantët kishin një qëllim tjetër, të njëjtin me qëllimin e të rinjve shqiptarë që largohen drejt një vend tjetër të Bashkimit Europian, për një treg tjetër, me kushte më të mira punë.

Në këtë situatë, e vetmja zgjidhje është që Shqipëria të punojë e të fitojë betejën me vendet e tjera, që të krijojë një mjedis sa më të favorshëm për punëkërkuesit; sigurisht në radhë të parë për vetë shqiptarët. Nëse tregu i punës në Shqipëri do të konsiderohet i dështuar nga të rinjtë shqiptarë, më shpejt do të konsiderohet i tillë nga të huaj që do të vijnë, nga cilido vend qofshin ata. Më tej e dështuar do të jetë sipërmarrja, ekonomia, dhe fatkeqësisht, nëse do të vijohet me kokëfortësinë e politik-bërësve dhe nuk do të ketë një plan ambicioz për zgjidhje, pa të ardhme do të mbetet edhe Shqipëria.

Banka Botërore vlerëson se mesatararisht çdo vit Shqipërisë i largohen rreth 40 mijë qytetarë, kryesisht të rinj, ose boshatiset gati një qytet i vogël çdo vit. Pse të rinjtë shqiptarë, veçanërisht nga zonat rurale, kërkojnë të ardhme në vendet e perëndimit? Nëse do t’ia lëmë “normalitetit” dhe do të relativizojmë problemin si një problem global, duke e konsideruar fenomenin të pashmangshëm, të pandalshëm, nuk do të bëjmë asgjë tjetër veçse do ta thellojmë atë. Deri në atë pikë sa të mos ketë më asnjë mundësi për zgjidhje!

Sipas të dhënave të Eurostat, që nga viti 2008 deri në 2020-n, vit kur u mbyllën kufijtë prej pandemisë, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Pas pandemisë largimet kanë qenë edhe më masive. Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që vendet fqinje si Greqia dhe Italia të joshin të rinjtë nga Shqipëria dhe tregu ballkanas, edhe për shkak të ngjashmërisë së racës, kulturës, afërsisë, kostove dhe shumë faktorëve të tjerë. Duke joshur të rinjtë shqiptarë për të zgjidhur nevojat e tyre urgjente të punës në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, dominanca e vendeve të tjera po i jep goditjen më të fortë historike tregut të punës në Shqipëri.

Përveç rënies së ndjeshme të lindshmërisë, largimet masive në emigracion kanë ndikuar gjatë dekadës së fundit në shpopullimin masiv të Shqipërisë, në shifra edhe më të rënda se në kohë lufte ose në vitet e pushtimit. Vendet e tjera të BE-së po veprojnë njësoj, duke tentuar të jenë sa më joshëse në treg, për punëkërkuesit nga vendet kandidate të Bashkimit Europian, si Shqipëria. Gjermania është tregu më i madh i punës në Europë, që po krijon lehtësira për të rinjtë shqiptarë, çka po bën që Shqipëria të zbrazet akoma edhe më shpejt.

Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013. Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.

Krahas Italisë e Greqisë, që kanë pritur më shumë shqiptarë për vetë afërsive gjeografike dhe dinamikën e emigracionit, që nga viti 2013, Gjermania ka rritur ndjeshëm numrin e lejeve të dhëna. Ekonomia më e madhe e Europës ka dhënë gjithsej 48 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë deri në fund të vitit 2020. Numër që vazhdon të jetë në rritje. Besohet se mijëra të rinj shqiptarë punojnë pa letra në Gjermani. Ndërkohë që mijëra të tjera janë larguar nga Greqia dhe Italia, duke krijuar boshllëqe për të tjerë shqiptarë që të largohen në vende fqinje.

Të dhënat e tjera kombëtare të INSTAT tregojnë popullsia në grup-moshën 15-29 vjeç shënoi tkurrje me rreth 18 mijë persona në 2020-n, tkurrje që ka ardhur duke u thelluar gjatë viteve të fundit.

Artikulli paraprakLajthitjet e çiftit Meta-Kryemadhi nga frika e burgut dhe “shfaqja” e menopauzës e andropauzës!
Artikulli tjetërLoja treshe Rama-Berisha-Meta, rasti Çela dhe Doshi në Shkodër!