Loja treshe Rama-Berisha-Meta, rasti Çela dhe Doshi në Shkodër!

Ilir Meta po krijon perceptimin e një të çekulibruari dhe me shëndet mendor të dyshimtë, por duket se loja nuk është kështu siç kërkon ta shesë ai.

Thelbi i shpërthimeve të fundit, sa halabake po aq halucinante të kreut të PL, nuk janë spiunët brenda partisë që sipas tij e kishin rrethuar dhe as lufta për “nepotizmin” me gruan e tij Monika Kryemadhi.

Meta është caktuar që të marrë në dorë flamurin e Frontit anti-SPAK dhe kundër drejtësisë së re. Në këtë front me ushtarë Berishën, atë vetë dhe Gjeneral Edi Ramën, i cili nuk del në vijë të parë por drejton operacionin nga çadra, ka disa zhvillime.

Meta ka premtuar se nga Pallati i Kongreseve pas Konventës, do të zbarkojë poshtë ballkonit të Berishës me 2 mijë vetë. Më herët kishte deklaruar se është ai kryeministër i ardhshëm i opozitës, kurse Berisha nuk u ndie. Ka sulmuar SPAK dhe kreun e tij Dumanin çdo ditë, në mënyrën më monstruoze. Në mënyrë të paprecedentë për këto sulme reaguan ashpër dhe njëzëri, të gjithë faktorët ydiplomatikë perëndimorë në Tiranë.

Nga faktorët politikë vetëm Lulzim Basha dhe PD i dënoi sulmet, kurse Edi Rama dhe PS heshtën! Meqenëse Berisha është konsumuar dhe bajatosur me sulmet e përnatëshme anti-SPAK, duket se gjenerali në çadër, ka gjetur një kamikaz të ri. Këtë fundjavë Ilir Meta ka qenë në Shkodër.

Publikisht në medie takimet ku shtoi dozën e sulmeve ndaj SPAK, i hodhi vetëm këtë të martë. Por ditën e shtunë ai ka mbledhur grupin e vjetër të LSI në qytetin veroir, me në krye deputetin-biznesmen, Agron Çela. (Shih videon)

Ky i fundit u largua nga Meta në fund të dhjetorit 2022 dhe deklaroi se u bashkua me PS e Ramës, por sot shfaqet vëllazëror me Metën.

Në kohën që u largua nga LSI, deputeti Çela tha se po e bënte këtë lëvizje për mandatet e djegura që në 2019 dhe se kishte pakënaqësi nga Rithemelimi. Çela i Metës sëbashku me Doshin e Ramës, në fakt i siguruan Sali Berishës bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme të marsit në 2022.

Vetëm për një vit dhe vetëm për të ndihmuar Rithemelimin e nongratës për t’u dukur “shumicë” dhe më i fuqishëm se Basha dhe PD. Një vit më pas në zgjedhet lokale të 14 majit, Çela tashmë ” i bashkuar” me Ramën, sërish me Doshin në një front, ja dhanë bashkinë e Shkodrës për herë të parë PS-së.

As ish-kryetari Bardh Spahia dhe as vetë Berisha nuk u mërzitën për këtë tragjedi të së djathtës, veçse lëshuan akuzat e bajatasora, se Rama i bleu shkodranët. Aktualisht Agron Çela është me Ramën zyrtarisht, kurse Tom Doshi është “prishur”, (I hoqi drejtorët), dhe është afruar me Rithemelimin e Berishës.

Por ndryshe nga shumë vite më parë Doshi nuk është nervozuar me “Ramën e pabesë”. Nga ana tjetër deputeti Çela i Ramës shfaqet në këtë situatë të Frontit anti-SPAK i cili i është futur në oborr edhe kryeministrit, në krah të Ilir Metës.

Tani ose deputeti Çela nuk është më me Ramën, ose Rama e ka deleguar të ndihmojë Metën, ose gjithmonë ka qenë me Metën dhe ky ja dha borxh Ramës sa të merrnin bashkinë e Shkodrës.

Gjithsesi ngado që ta vërtisësh, jo vetëm rasti “Shkodra” por në gjithë vendin, (Edhe Aqif Rakipi njësoj), kemi një shkrirje dhe bashkëpunim emergjent të njerëzve të Ramës, Berishës dhe Metës. Të gjithë nën armë, se na mori SPAK përpara!/Alfapress.al

Artikulli paraprak40 mijë punëtorë kërkon turizmi sot, po aq ikin çdo vit nga Shqipëria. Pse dështuam edhe me indianët?!
Artikulli tjetërDeklarata e fortë e Zhejit: Kam informacione për oligarkë që po punojnë për një koalicion Rama, Berisha, Meta kundër SPAK