4 tonë të tjera drogë nga Shqipëria kapen në Itali

Një sasi rekord droge është sekuestruar mëngjesin e djeshëm nga policia italiane dhe Guarda di Finanza. Mediat italiane raportojnë se, policia italiane dhe Guardia di Finanza e Barit kanë kapur 4 tonë marijuanë të ndarë në 185 pako dhe kanë arrestuar tre shqiptarë, që po e transportonin atë me një jaht. Mediat italiane raportojnë se, vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet mbi 20 milionë euro.
Sipas policisë italiane, jahti ishte me flamur të SHBA. Si rezultat i ndjekjes nga skuadrat e GdF dhe me suport ajror u bë i mundur bllokimi i mjetit lundrues. Në ekuipazhin e jahtit u arrestuan tre shtetas shqiptarë të moshave, 54, 28 dhe 26 vjeç. Mjeti lundrues u kap në ujërat territoriale italiane në zonën e Garganos.
Mediat italiane njoftuan se agjentët e Guardia di Finanza e kanë ndaluar jahtin në brigjet e Gargano-s dhe kanë sekuestruar në të një ngarkesë rekord marijuane. Ky operacion është kryer nga Guardia di Finanza në koordinim me rojen bregdetare të Taranto-s. Të tre personat që u gjetën në bord janë arrestuar.

ashtrimi i policisë shqiptare

Pas publikimit të lajmit nga mediat italiane për kapjen e 4 tonelatave të drogës dhe arrestimit të tri shqiptarëve, Policia e Shtetit doli me një njoftim për shtyp duke deklaruar se, në operacionin e Policisë italiane dhe të Guarda di Finanzës ka marrë pjesë edhe policia shqiptare. “Mjeti lundrues u kap në ujërat territoriale italiane në zonën e Viestes. Hetimet paraprake tregojnë se ky mjet lundrues nuk ka shkelur ujëra shqiptare. Rezervohemi për të tjera informacione për shkak të sekretit hetimor. Policia e Shtetit po bashkëpunon ngushtë me Guardia di Finanza dhe Policinë italiane, si dhe po shkëmben informacione intensivisht me Policinë malazeze për zbardhjen e këtij trafiku”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Por në fakt, policia italiane nuk përmend në asnjë rresht të deklaratës përfshirjen e policisë shqiptare në operacion. Policia italiane bën të ditur se, operacioni u krye nga policia italiane dhe Guardia di Finanza e Barit.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, lënda narkotike është ngarkuar në një zonë mes Lezhës dhe Shkodrës. Është e vërtetë që jahti nuk është futur në ujërat tona territoriale, por kanabisi është transportuar me gomone nga brigjet e Lezhës dhe Shkodrës dhe më pas është kaluar në ujërat ndërkombëtare, ku edhe është ngarkuar skafi.
Policia italiane ende nuk i ka dhënë informacione policisë shqiptare në lidhje me identitetin e plotë të tri personave të arrestuar në jahtin me flamur amerikan, ku gjatë natës u kapën rreth 4 tonë kanabis. Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se lënda narkotike është transportuar me skaf nga brigjet e detit në zonën mes Lezhës dhe Shkodrës dhe më pas ajo është ngarkuar në bordin e jahtit, në ujëra ndërkombëtare.

Shqiptarët e jahtit me drogë, banues në Durrës e Tiranë

3 shqiptarët që u kapën me 4 tonë drogë në një jaht në brigjet italiane rezultojnë banues në Durrës dhe Tiranë. Bëhet e ditur se 3 personat në fjalë kanë hyrë në territorin malazez ditën e hënë. Pikërisht nga ky shtet dyshohet të jetë nisur edhe mjeti lundrues luksoz, i mbushur me drogë, i cili mendohet të jetë marrë me qira. Jahti me flamurin amerikan është pikasur nga Guardia di Finanza italiane në ujërat territoriale në zonën e Viestes dhe pas ndjekjes dhe me suport ajror është bërë i mundur bllokimi i tij në det.
Para pesë ditësh, policia italiane sekustroi edhe 2.3 tonë kanabis që sapo ishte shkarkuar nga një gomone oqeanike, e cila humbi gjurmët në ujërat malazeze dhe ato kroate. Pritësi i kësaj sasie ishte sërish një shqiptar që u arrestua ndërsa nga analizat e zhvilluara mes policisë italiane dhe asaj shqiptare rezulton se trafikantët janë duke shfrytëzuar rrugë alternative, jo më nga territori dhe ujërat shqiptare drejt Pulias, por në pjesën e sipërme të Adriatikut.

R.POLISI

Artikulli paraprakHarrojeni arsimin falas
Artikulli tjetër7256 shqiptarë kërkesë zyrtare për azil në Francë