4 pyetje për Marino Niola: Eshtë e vërtetë edhe se kur hamë ushqime industriale jetëgjatësia është rritur

Vegjetarianë, veganë, makrobiotikë, krudistë, sushistë, natyralistë, jo gluten, mishngrënës, frutangrënës, lokalngrënës dhe, jo të fundit, qumështofobë. Janë disa prej grupeve në të cilën ndahen konsumatorët mbi bazën e qasjes së tyre ndaj ushqimit. Në fakt, stilet ushqimore janë bërë klasifikuesit e rinj të njerëzimit global; një instrument bashkimi dhe përçarjeje, identifikimi e kundërvënieje, parashkrimi dhe ndalimi, por sidomos një dispozitiv normalizimi i shpirtit nëpërmjet disiplinës së trupit. Cilado qoftë natyra e tyre, qëllimet dhe finalitetet, ka një fill që i bashkon: nevoja për të dhënë dhe pasur rregulla, të modeleve të kujdesjes së vetes dhe të veprimit ndaj realitetit. Me pak fjalë, dietat janë paksa traktatet e sjelljes së kësaj kohe pa qartësi dhe pa siguri. Dhe një çikë deklaogët laikë e një shekullarizimi jetim nga zotërit e tij dhe në kërkim përkushtimesh të reja. Kjo është në sintezë ekstreme teza e mbështetur tek “Homo Dieteticus. Viaggio nelle tribù alimentari” (shtëpia botuese “Il Mulino”), vepra e fundit e Marino Niola, pedagog universitar, shkrimtar, e gazetar, ekspert i antropologjisë ushqimore.
Përballë dietave, duke lexuar këto faqe të lind një ironi e thellë, por temat e trajtuara janë serioze: kërkimi i modelit ushqyer virtuoz është bërë feja globale me numrin më të madh e prozelitëve. Çdo kredo ushqimore konsiderohet si rruga e vetme për shpëtimin, ndaj kësaj pavdekësie jo më të shpirtit, por të trupit. Ose të paktën të asaj kaskade shëndetësore që e quajmë jetëgjatësi. Cili është çmimi? Privime, ndëshkime, perize. Demonizimi i shumë ushqimeve, ekzaltimi i dobësisë. Thuajse e kotë të kujtosh sesi qumështi, nënproduktet e tij dhe djathërat prej kohësh janë ngjitur në bangën e të akuzuarve të këtij tribunali të Inkuizicionit kulinar, në mos deri të dënuar tashmë me dënimin maksimal. Teoritë më të ndjekura të të ushqyerit i quajnë jo të nevojshme apo deri të dëmshme për shëndetin, duke provokuar një largim progresiv nga një prej ushqimeve më natyrale dhe më të rëndësishme për dietën njerëzore.

-Profesor Niola, në librin tuaj flisni për “maninë” apo modën e dietave si të një besimi fetar pa Zot, pasi që një botë e shekullarizuar e ka zbehur kuptimin e Hyjnores. Jemi në epokën e teknologjisë, të kontrolleve, të sigurisë ushqimore, e megjithatë kthehemi tek transhendentja, tek iracionalja. Çfarë po ndodh?
Sepse ekziston një ndjenjë mjaft e përhapur komploti në shoqërinë bashkëkohore, që nga njëra anë ka humbur ndjenjën klasike të Hyjonres, të besimit në një Zot, përveçse për t’i besuar shenjtorit të parë të rremë apo herboristit të parë që propozon një ilaç të ri, një kurë të re, një regjim të ri ushqimor që premton, në mos jetën e përjetshme, të paktën një jetëgjatësi të siguruar. Kjo sepse ekziston pasiguri. Njerëzit nuk ndjehen të qetë dhe mbyllen në vetëvete: trupi bëhet mbrojtja ekstreme, korraca në të cilën të strehohesh. Kështu, edhe qenia jonë prej mishi e kocke vesh përkrenaren për t’u ruajtur me çdo kusht: ja i shpjeguar kërkimi i ethshëm i asaj që nuk bën keq, duke arritur ta transformojmë në ilaç atë që hamë. Kë të marrim për shembull, bumin që po ushqimi kosher thuajse në të gjithë botën, por sidomos në Shtetet e Bashkuara: e blejnë sidomos jo hebrenjtë, pasi i besojnë më shumë çertifikimit të një rabini sesa atij të autoriteteve ushqimore. Siguria i mbivendoset shpëtimit të shpirtit, duke u katapultuar në një mesjetë teknologjike që krijon regjime ushqimore përgjysmë midis asketizmit dhe agriturizmit.
-Nëqoftëse kemi arritur në situatën që përshkruani ju në libër, atëhere kush janë fajtorët? Pse është kaq e vështirë të bëhet popullor një regjim ushqimor i ekuilibruar, i përbërë nga të gjitha ushqimet në proporcionet e duhura, si për shembull dieta mesdhetare?
Hëm, 20 apo 30 vitet e fundit kanë qenë ato të çedukimit ushqimor. I është marrë kohë ushqimit, atmosferës së relaksit, shijimit të të ushqyerit me pretekstin e mungesës së kohës, të shpejtësisë, të efikasitetit. Ja pse kemi arritur në pikën ku ushqimi shikohet si armik dhe bëhen fatva kundër qumështit dhe vezëve, djathërave dhe mishërave të kuq. Duhet gjetur një hapësirë për ushqimin në përditshmërinë e secilit prej nesh, duhet më shumë kohë për ta shijuar atë që hahet dhe për të përgatitur vaktet. Të jetë e qartë: të ngrënit shëndetshëm është gjë e mirë dhe e drejtë, ama kujdes për të mos e shndërruar në sëmundje. Përndryshe rrezikohet ortoreksia, domethënë obsesioni i të ngrënit korrekt, ortodoks. Është më e vonshmja midis patologjive ushqimore të një Perëndimi që ka pushuar së pasuri frikë urinë dhe e jeton bollëkun si një ndjenjë faji. Duhet kthyer tek ngrënia e gjithçkaje në sasitë e duhura.

-Qumështi dhe djathërat shpesh etiketohen si ushqime të dëmshme për shëndetin në bazë të klisheve që rrjeti nuk bën gjë tjetër veçse i aplifikon deri sa arrin t’i bëjë “viralë”. Në kapitullin “Integralismi” ju flisni për “naivë super të informuar”. Rritja e njohurive në vend që të favorizojë një qëndrim më racional, po provokon një rikthim masiv në bestytni dhe supersticione. Sipas jush, a është e mundur të përmbyset kjo tendencë dhe, nëse po, si?
Interneti është vox populi i mijëvjeçarit të tretë. Ka një tollovi e pabesueshme dhe jo gjithmonë algoritmet e motorëve të kërkimit të çojnë në uebsajtet më serioze, ato më të besueshëm dhe ku informacionet që ndodhen të vijnë nga burime të verifikueshme. Përkundrazi, është e vërtetë e kundërta. Dimë pak nga të gjitha, por realiteti na shpëton nga çdo anë. Është paradoksi i qytetërimit të informacionit. Rritja e dijeve dhe e progreset e teknologjisë në vend që të favorizojnë një qëndrim më racional, po provokojnë një rikthim masiv të bestytnive, klisheve, thashetheme, mitologjive. Supersticione në versionin 2.0. Që shoqërohen me një përhapje në rritje të dyshimit të përgjithësuar. Askush nuk i beson më askujt dhe akoma më pak shkencëtarëve, ekspertëve, institucioneve. Qofshin këta OGM, vaksina, siguri ushqimore, produkte bio, përdorim ngjyrosësish dhe pesticidesh, emëruesi i vogël i përbashkët është një sindromë komploti që shkakton një mosbesim në rritje ndaj të gjitha autoriteteve, shkencore apo politike. Për të provuar frenimin e teorive komplotiste besoj se ka një ilaç të vetëm: alfabetizimin e rrjetit.
-Industritë ushqimore shikohen gjithnjë e më shumë me mosbesim nga konsumatorët. Megjithatë përgatisin ushqime standard, të kontrolluara e të garantuara, sepse u nënshtrohen verifikimeve dhe proceseve të përpunimit të rrepta e moderne. Çfarë këshille ndjeni që t’u jepni bizneseve të sektorit për t’u riafruar me konsumatorët? Sikur të ishit prodhues qumështi apo djathërash, mbi çfarë do ta përqendronit politikën tuaj të komunikimit?
Nëse është e vërtetë që nganjëherë industritë ushqimore japin mesazhe ambige apo pak transparente për të rritur blerjet e produkteve të tyre, është e vërtetë edhe se kur hamë ushqime industriale jetëgjatësia mesatare është rritur dhe më shumë. Ky është një koncept që duhet t’u shpjegohet më mirë konsumatorëve. Veç kësaj, markat e mëdha prodhuese të qumështit dhe derivateve të tij duhet të impenjohen që të çojnë përpara një operacion transparence: të organizojnë vizita të organizuara në stabilimentet e tyre, t’u ilustrojnë atyre që blejnë produkte prej tyre se nga vijnë lëndët e para dhe detajet e ciklit të prodhimit. Të vënë në pah të gjithë serinë e normave e kontrolleve, të cilave u nënshtrohet ushqimi përpara se të dalë në raftet e një supermarketi. Të mos kemi frikë që të deklarojmë se një produkt përmban këtë apo atë shtues dhe të shpjegojmë se për çfarë nevojitet: shpesh të garantojnë që ushqimet ta arrijnë tavolinën në gjendje të përkryer konservimi. Është një punë e gjatë dhe që kërkon impenjim, por besoj se mund të japë rezultate të mira në kohë.
(nga Il Mulino)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakPse pritet “agresion” i Rusisë pas Botërorit
Artikulli tjetërNdahet nga jeta aktori i njohur, Fadil Hasa