32 mijë ton plehra nga Italia në Shqipëri nga 2 marsi 2016

Gazeta italiane “Roma” ka nisur debatin lidhur me kapacitetin e Shqipërisë për të menaxhuar dhe importuar mbetjet dhe aftësinë për të kontrolluar vërtetë territorin e saj. Duke iu referuar një hetimi të bujshëm të publikuar më 2 mars, gazeta pretendon e zotëron dokumente që tregojnë se si marsin e vitit 2016, të paktën 1300 konteinerë me mbetje urbane, që kishin si destinacion Maqedoninë, nuk e kaluan kurrë kufirin e Qafë-Thanës dhe në fakt u zhdukën në territorin shqiptar.
Sipas këtij hetimi, konteinerët, me kapacitet 22 ton secila, janë ngarkuar në Portin e Gioia Tauro në Kalabri, e më pas janë shkarkuar në Portin e Durrësit. Nga aty, duhet të përfundonin udhëtimin e tyre në qendrën më të madhe të përpunimit të mbetjeve në Europë, në Shkup, që menaxhohet nga viti 2013 nga një ndërmarrje misterioze italiane.
Sipas artikullit, gjurmët e këtyre mbeturinave, u zhdukën në Shqipëri. Çështja nuk shqetëson shumë qeverinë shqiptare, që ka provuar disa herë të miratojë një ligj që autorizon importin e mbetjeve. Para ndarjeve brenda koalicionit qeverisës dhe mospajtimit të fortë nga Shoqëria Civile dhe opozita, projekti është pezulluar përkohësisht. Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në qershor, çështja mbetet një temë që ngjall tensione të forta politike. Aktivistët ekologjikë të lëvizjes AKIP (Shoqata kundër importit të mbetjeve) tregohen, megjithatë, të kujdesshëm në lidhje me këto zbulime.
Ata janë duke pritur rezultatet e hetimit, dhe për momentin nuk duan të përdorin këto “thashetheme” në luftën e tyre kundër projektligjit të diskutueshëm. Ndërsa Partia Demokratike, ka përdorur menjëherë lajmin për të kritikuar ashpër qeverinë Rama, që akuzohet për lidhje me organizata kriminale. Lulzim Basha, lideri i opozitës ka kritikuar ashpër kujdesin e AKIP, duke akuzuar “Shoqërinë Civile se është financuar nga paratë e pista të krimit dhe korrupsionit”.
Gazeta romane i ka kushtuar një artikull të gjatë lëvizjes më të fundit të ndërmarrë nga deputeti siçilian Riccardo Nuti, i cili duket i vendosur për zbulimin e këtij misteri. Deputeti 36-vjeçar i Lëvizjes 5 Yjet, anëtar i Komisionit Antimafia dhe i Komisionit të Çështjeve Kushtetuese, është prezantues i dhjetëra projektligjeve në Parlamentin italian dhe i është drejtuar direkt qeverisë së vendit të tij për të marrë informacione mbi atë që shtypi italian tani e quan si “rifiuti connection”.
Pasi ka bërë një paraqitje të historisë, tashmë e përsëritur në median e shumë vendeve, pasi ka kërkuar edhe nisjen e hetimit parlamentar, Nuti ka kërkuar informacione shtesë edhe nga qeveritë shqiptare e maqedonase, duke iu shkruar ambasadave përkatëse, si dhe nga prefektja e Frosinones, qyteti ku ka selinë firma italiane Flc Ambiente që menaxhon landfillin e Drislës në Shkup, ku duhej të kishin shkuar 1300 konteinerët e zhdukur në territorin shqiptar, me 28600 tonë mbetje.
Nuti ka bërë një seri të gjatë pyetjesh në kërkim të zbulimit të skandalit, çka përbën vërtet dhembje për veshët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Qeveria e këtij të fundit bëri të ditur se do të niste procesin gjyqësor për sitin “Pianeta Italia Neës”, duke e akuzuar për shpikje lajmesh dhe prishje të imazhit të Shqipërisë.
E ndërsa gazetës italiane përpiqet t’i mbyllë gojën me padi gjyqësore, duket se me deputetin 36-vjeçar nga Siçilia, Ramës i ka ngecur sharra në gozhdë, pasi nuk mund ta trembë me kartën e gjyqit, ndërkohë që Nuti duket i vendosur t’i shkojë deri në fund çështjes, duke i kërkuar llogari edhe qeverisë shqiptare, që është fajtore më e pakta për mosveprim edhe në kushtet kur përveç shtypit, janë autoritete të sistemit të drejtësisë dhe atij politik në Itali që kërkojnë transparencë.
Specialistët thonë se në rast se 32 mijë tonë mbetje kimike, do të groposeshin apo asgjësoheshin në një vend me sipërfaqe 28 mijë kilometra katrore, atëherë pasojat do ishin katastrofike. Një sasi e tillë helmi, qoftë nga asgjësimi me djegie, qoftë me groposje do sillte pasoja të parikuperushme në organizëm. Shqipëria është jo pak e ndotur dhe pa marrëveshjet me mafian e plehrave. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim për këtë çështje, nëse ato 1300 konteinerë kanë kaluar nëpër Shqipëri.
Lajmi i nxjerrë nga “Pianeti Italia”, u mundua që fillimisht të injorohej nga mediat pranë Ramës, më tej konsullja jonë në Milano, do të shantazhonte gazetën. Por, pas “Pianeta Italia” investigimet i kaluan gazetës më të vjetër  italiane “Roma”, ndërsa më pas, lajmi do jepej dhe në CNN apo Reuters, megjithë pretendimet Ramës, apo zyrës së tij të shtypit të cilët mundoheshin ta injoronin apo kundërshtonin këtë fakt. Gjithsesi hetimet në shtetin fqinj kanë filluar dhe tashmë mbetet të shihet se sa i shtrirë është ky fenomen, dhe ku janë zonat që janë groposur mbetjet kimike.

R.POLISI

Artikulli paraprak“Deep State” në gjendje lufte?
Artikulli tjetër31 bijtë e krimit që na qeverisin