3 milionë euro ndajnë Rafinha nga Inter

Marrëveshja nuk është arritur ende, por duhet shumë pak për ta mbyllur. Inter ka paraqitur ofertën përfundimtare, ndërsa Barcelona ka kërkuar 48 orë për të vendosur, por përtej fjalëve të trajnerit Ernesto Valverde, që dje e aktivizoi në minutat e fundit të ndeshjes së Kupës së Mbretit kundër Espanyol (“Rafinha na duhet, kemi shumë të dëmtuar dhe ai po stërvitet mirë”), ekziston opinioni unanim që klubi “blaugrana” do t’i thotë “po” propozimit të prezantuar nga Piero Ausilio.
“Il Mundo Deportivo” konfirmon dje detajet që qarkullonin prej kohësh. Gazeta katalanase ka shkruar se formula e transferimit të Rafinha është huazim me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, nëse zikaltërit do të futen në Champions League, kundrejt 35 milionë eurove. Barcelona, që kërkonte 40 milionë euro, i zbriti pretendimet në 38 milionë, kuotë e cila mund të arrihet nga Inter nëse në marrëveshje futen edhe disa bonuse.
Nëse për Rafinha jemi në hapat e fundit të marrëveshjes, krahas “fronit” Ramires dhe disa zërave për Corres, ka nisur të qarkullojë në korridoret zikaltërt edhe hipoteza Daniel Sturridge. Sulmuesi anglez, i ofruar pak ditë më parë nga Liverpool, i ka bërë drejtuesit e Inter të mendohen. Këtë herë flitet për huazim, pa detyrim blerjeje në fund. Inter ka marrë në konsideratë mundësinë e afrimit të Sturridge, duke parë pakënaqësitë e Eder, që po përshtatet gjithnjë e më pak në rolin e zëvendësit të Mauro Icardi.
West Ham ka nisur bisedimet me Inter për të huazuar Joao Mario. Trajneri David Moyes ka nevojë për një organizator që të ndihmojë ekipin të largohet nga zona e rënies nga kategoria. Mario nuk ka lënë një përshtypje të mirë gjatë këtij sezoni me fanellën zikaltër dhe tanimë ka rënë i treti në listën e preferencave të trajnerit Spalletti, pas Borja Valero dhe Marcelo Brozoviç. Edhe ai vetë dëshiron të largohet nga “San Siro”, sepse nëse do të qëndrojë në stol rrezikon të humbasë vendin te Portugalia në Kupën e Botës 2018.
West Ham i ofron Joao Mario mundësinë për të luajtur rregullisht, pavarësisht se ai do të preferonte një klub më të madh për të vazhduar karrierën. Klubi londinez është interesuar edhe për mesfushorin e Bournemouth, Harry Arter, pasi Sevilla ktheu përgjigje negative për Steven N’Zonzi. Ndërkohë, nëse qendërsulmuesi Andy Carroll shkon te Chelsea, atëherë ekipi i Moyes do të kërkojë të huazojë nga “blutë” sulmuesin belg Michy Batshuayi.

Artikulli paraprakAntonio Conte del kundër VAR
Artikulli tjetërStoltenberg do t’i drejtohet Kuvendit të Maqedonisë