21 gazetarë paraqiten para gjykatës turke

Njëzetenjë gazetarë janë paraqitur dje para një gjykate në Turqi, pasi ishin burgosur si pjesë e masave të ndërmarra pas grushtshtetit të dështuar ushtarak të 15 korrikut, përderisa Ministria e Integrimeve Evropiane ka suspenduar disa anëtarë të stafit, raporton “AP”.
Pamjet televizive tregojnë policinë duke i shoqëruar gazetarët në gjykatë në Stamboll. Ata janë në mesin e 42 individëve për të cilët u lëshuan urdhër arreste të hënën, përderisa autoritetet po i vazhdojnë kërkimet ende për ata që janë të lirë, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”.
Turqia deklaroi gjendje emergjente pas grushtshtetit të dështuar, ku mbetën të vrarë 290 persona.
Afro 16 mijë njerëz janë burgosur në lidhje me dyshimet për përfshirje në këtë revoltë. Po ashtu, dhjetëra mijëra shërbyes civilë janë shkarkuar bazuar në pretendimet për lidhje me Gylenin (klerikun mysliman që jeton në ekzil në SHBA) që nga sektorët e gjyqësisë, edukimit, shëndetësisë, qeverive lokale dhe ministrive.
“Po të mos i largonim këtë njerëz, atëherë tentimet për grusht shtet do të ishin të suksesshme”, u ka thënë dje gazetarëve në Ankara ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Autoritetet turke kanë lëshuar deri më tani urdhër arreste për 89 gazetarë. Mbi dhjetë organizata mediale, kryesisht që kanë lidhje me Gylenin, janë mbyllur mbrëmjen e të mërkurës.
“Këta gazetarë kanë punuar në organizata mediale që i përkasin kësaj organizate terroriste”, ka thënë Cavusoglu.

Artikulli paraprakSchweinsteiger i jep lamtumirën Gjermanisë
Artikulli tjetërFrancë, identifikohen dorasit e sulmit në kishë në Normandi