Riaktivizohet zjarri në Gjirokastër, banori: Më mirë të digjem vetë se ta lë banesën të shkrumbohet

Riaktivizohet vatra e zjarrit në zonën e fshatit ‘Arshi Lengo’ në Gjirokastër. Mësohet se zjarri ka përfshirë pikat e kodrës së Shën Triadhes.

Kujtojmë se dje në fshatin “Arsim Zeneli” një 64-vjeçar humbi jetën pasi luftonte me zjarrin sepse rrezikohej banesa e tij, ndërkohë që bashkëshortja u plagos rëndë.

Një nga banorët e zonës, 68 vjeçari Zaharaq Londi, në një pronocim për mediat tha se, një person e ka vënë zjarrin me qëllim dhe ndodhet në polici dhe se atij iu shkatërrua çdo gjë kishte ndërtuar prej vitesh.

Londi tha se, po të ishte e mundur do e vriste me duart e tij personin që vuri zjarrin, pasi është një krim i cili shkaktoi dëme të pallogaritshme dhe se kërkon që çështja të zbardhet në mënyrë sa me të drejtë.

“Unë, po të mos vinte zjarrfikësja dhe makina e policisë, dje do isha i vdekur, flakët iu afruan banesave dhe shkrumbuan 3 mijë rrënjë të hardhive qe i kisha unë, duke më fshirë çdo gjë kisha punuar prej një jete. Është krim i madh të vësh zjarrin në këtë mënyrë, ai zotëria dje humbi jetën, bashkëshortja në spital dhe ne të tjerëve na la me gisht në gojë. Nuk janë shumë persona që kanë vënë zjarrin, është vetëm nje dhe ai ndodhet në polici dhe unë kërkoj që të vije komisioni dhe të vihet drejtësi ose do e vras me duart e mia atë njeri”, u shpreh banori.

I pyetur se a pranoi të evakuohej në momentin që ishte kërkuar nga forcat e emergjencës një gjë e tillë, Zaharaqi u përgjigj se më mirë të digjej vetë se ta linte banesën e tij të shkrumbohej.

“Nuk kisha ku të shkoja, nuk mund ta lija shtëpinë të më digjej, më mirë të digjesha aty brenda. Punova tërë jetën si qeni dhe ai person që vuri zjarrin na shkatërroi çdo gjë”, përfundoi banori.

Artikulli paraprakXhaçka deklaroi 12-fishim të kapaciteteve për shuarjen e zjarreve nga ajri, ku janë helikopterët?
Artikulli tjetërRama xhiro me helikopterin e ushtrisë, kreu i Emergjencave e justifikon: Helikopteri nuk përdorej për shuarjen e zjarreve