Krim në familje, vritet kryefamiljari nga bashkëshortja dhe vajza e tij

Një krim në familje dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Gurrë e Vogël të Klosit, ku një 47-vjecar është gjetur i pajetë në banesë, me shenja dhune. Polici ka shoqëruar bashkëshorten dhe vajzën e viktimës.

Burime zyrtare njoftuan se, rreth orës 22.30 të së Dielës, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat, ka ardhur një telefonatë se në banesën e Ylber Lezit po ndodhte një konflikt në familje.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë drejt adresës së dhënë, ku Mine Lezi ka shfaqur rezistencë duke mos ju hapur derën shërbimeve të Policisë.

Efektivët kanë hyrë me forcë në banesë dhe kanë gjetur me shenja dhune në trup dhe pa shenja jete kryefamiljarin Ylber Lezi 47 vjeç.

Janë shoqëruar në Komisariat bashkëshortja e viktimës Mine Lezi, 51 vjeçe dhe vajza e tyre Aida Lezi, 21 vjeçe.

Ndërkohë, burime nga policia bëjnë të ditur se, 48-vjeçari Ylber Elezi u godit për vdekje nga bashkëshortja dhe vajza e tij.

Fqinjët deklarojnë se viktima ishte përdorues alkooli në masë, ndërsa shtojnë se gruaja e tij ishte me probleme mendore dhe vajza në depresion.

“Realisht nuk e dimë si ka ndodhur ngjarja, por dëgjuam një zhurmë dhe dolëm jashtë, ku pamë që dera ishte e mbyllur. Nuk ishim si të hynim, kështu që njoftuam policinë, që erdhi në 22:30. Viktima ishte përdorues alkooli në masë, bashkëshortja ishte me probleme mendore, ndërsa vajza prej ditësh ishte në depresion.

Energjinë elektrike ua patëm lidhur para pak ditësh, por e shkatërruan se me të meta mendore. Ata nuk kuroheshin me ilaçe. Ylberi ishte goditur me sende të forta në kokë, me dru ose me tullë”, deklaron fqinji i viktimës.

Kurse kryetari i fshatit Gurrë e Vogël në Burrel, Ibrahim Elezi, shprehet se në momentin kur kanë shkuar pranë banesës, dera ka qenë e mbyllur, dhe janë detyruar që të presin policinë, për të ndërhyrë. Ai tregon se i ndjeri ka qenë përdorues i rregullt i alkoolit, ndërsa gruaja e tij me probleme të shëndetit mendor.

Sa i takon vajzës, ai thotë se e reja kishte pak kohë që kishte shfaqur shenja të depresionit, por për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, asnjëri prej tyre nuk ka marrë mjekim, dhe e vetmja e ardhur ka qenë ndihma ekonomike prej 60 mijë lekësh të vjetra.

Artikulli paraprakAksidenti tragjik në Kroaci, Basha u shpreh ngushëllime familjarëve: Trishtim i thellë!…
Artikulli tjetërDitë zie në Kosovë për 10 viktimat e tragjedisë në Kroaci