Gjykata Kushtetuese cakton datën për gjykimin e zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit

Gjykata Kushtetuese ka caktuar 23 qershorin si datën kur do të shqyrtojë çështjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Në korrik të vitit 2019, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë paraqiti një ankimim në Gjykatën Kushtetuese ku e konsideroi procesin e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 si antikushtetues për shkak te mungesës se alternativave në zgjedhje.

Shoqata e Bashkive drejtohet nga Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, edhe pse gjatë ditëve të fundit ka pasur denoncime mbi tentativat e kryebashkiakëve të Edi Ramës, që kërkojnë të marrin drejtimin e shoqatës, dhe më pas të tërheqin ankimimin në Kushtetuese.

Gjatë deklaratave publike, Ademi tha se priste me besim se Gjykata Kushtetuese do ta “çmontojë farsën elektorale të 30 qershorit”.

“Pres nga Gjykata Kushtetuese vetëm respektimin e Kushtetuese, jam e kënaqur që si institucion pas reformës së drejtësisë po funksionon tashmë, do të duhet që të verifikojë këtë kërkesë që kemi bërë ne nëse është konformë Kushtetutës apo jo, që do të thotë është leximi i thjesht dhe ligjor i Kushtetutës dhe aplikimi i saj,” – tha Ademi duke theksuar besimin te Gjykata e re Kushtetuese.

Opozita i pati bojkotuar zgjedhjet lokale, ndërsa Presidenti shtyu me një dekret të ri datën e mbajtjes së tyre me pretekstin se nuk garantohej demokracia dhe stabiliteti i vendit.

Sidoqoftë zgjedhjet u mbajtën më 30 qershor ku Partia Socialiste mori drejtimin e shumicës së bashkive me përjashtim të Bashkisë Shkodër ku Voltana Ademi mbeti në detyrë pas tërheqjes nga marrja e mandatit të kandidatit socialist Valdrin Pjetri.

Artikulli paraprakLojërat elektronike mund të ulin ankthin dhe stresin
Artikulli tjetërPërgjimet/ Kushëriri i ish-ministrit të PS në bandën shqiptaro-kolumbiane të drogës, kush ishte roli i tij