“Spiegel” shkrim për arrestimin e nipave të deputetit të PS: Dy nga lordët më të mëdhenj të drogës në Europë

Një operacion dyvjeçar i policisë në bashkëpunim me autoritetet belge ka vënë në pranga 9 persona, të konsideruar si drejtues të një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike të llojit kokainë nga Amerika Latine, drejt Bashkimit Evropian.

Në pranga në kuadër të këtij operacioni ka rënë edhe nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, shtetasi Ramazan Rraja, jo pak i njohur për autoritetet shqiptare.

Ramazani nuk është i vetmi nga familja Rraja i përfshirë në këtë grup kriminal, pasi raportohet se është arrestuar edhe shtetasi Fioralb Rraja.

Ndërkohë në pranga janë vënë edhe Musa Gjikola, Genti ose Flamur Balliu, Bledar Pepaj dhe Fatmir Xheçuka.

Revista më e madhe gjermane, Spiegel, shkruan se 17 personat janë arrestuar në Bruksel dhe Antverp të Belgjikës. Mes të arrestuarve janë edhe dy nga bosët më të mëdhenj të drogës në Europë, shkruan revista.

Operacionet vendimtare për këtë operacion janë marrë nga policia gjermane. Karteli shqiptar e merrte drogën nga Amerika Latine dhe e shpërndante në Europë.

Gjatë operacionit policor u kapën edhe mijëra euro dhe 187 kg kokainë.

Hetuesit gjermanë kishin rënë në gjurmë të kësaj bande kur kapën një sasi kokaine në Bavari. Kokaina vinte bashkë me bananet dhe u shpërnda nëpër disa supermarkete në kutitë e bananeve.

Sipas hetuesve, grupi e trafikonte drogën nga Ekuadori drejt Gjermanisë në kutitë e bananeve.

Artikulli paraprakArtistët vijojnë protestën, Budina mesazh Lleshajt: Je në fokusin tonë se ishte ti që shembe Teatrin 
Artikulli tjetërAnglia nën ethet e koronavirusit të ri, rriten fríkshëm rastet e reja