Punonjësi i policisë kapet duke trafikuar klandestinë, 500 deri në 1000 euro transporti

Një polic nga Tirana kishte gjetur mënyrën e tij për të bërë biznes, duke transportuar emigrant sirianë që futen në mënyrë ilegale në Shqipëri me synim për të kaluar në vendet e BE.

Ndryshe nga trafikantët e tjerë, që u kërkonin nga 500 deri në 1000 euro këtyre emigrantëve fatkeqë, polici 24-vjeçar i komisariatit nr.4 merrte më lirë: vetëm 70 euro për person.

Por, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Korçës e kanë arrestuar në flagrancë se ka ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit më datë 18 gusht 2020, ora 23:40.

I arrestuari me iniciale G.H është detyrë punonjës policie SPZ në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë.

24-vjeçari akuzohet për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ai, duke udhëtuar me automjetin e tij, është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec në dalje të qytetit. Nga kontrolli ka rezultuar se me automjetin e tij po transportonte dy migrantë sirianë, të cilët i ka marrë në dalje të qytetit të Bilishtit për t’i dërguar drejt Tiranës kundrejt shpërblimit prej 70 eurosh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti, karta ID, patenta, pistoleta TT, 450 euro, 10 mijë lekë, 3 telefona celularë.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 apo duke denoncuar në Komisariatin Dixhital, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.

Artikulli paraprakSuedezët po ndryshojnë mendim rreth pandemisë, kërkojnë masa më të ashpra kundër COVID-19
Artikulli tjetërCovid-19/ Një përafrim Made-in-Albania i destinuar të dështojë!