Kreu i PD Pukë reagon ndaj kryebashkikaut të Ramës: Don (Gjon) Kishoti, ky kalorës i tufës së servilëve dhe spiunëve

Nga Ferit RINGAJ

Të “apasionuarit” pas Servantesit, (kam dyshime të forta nëse e kanë lexuar), kanë sulmuar përmes krahasimit me personazhet e tij, opozitën lokale të Pukës, e cila së fundmi ishte vënë në ndjekje të gjurmëve të zullumqarit të bashkisë, duke prodhuar një artikulim të ulët, pa sens, që zbehet për nga përmbajtja e mllefi që ka brenda.

Të sulmosh me mllefosje kundërshtarin politik, është mendësi e zyrtarëve me trashëgimi dhe ngarkesë ideologjike të së kaluarës, ku fatkeqësisht, kuzhina e PPSH, i ka prodhuar me shumicë si mall skarco, dhe që janë në qarkullim ende sot në nivele drejtuese, e aq më keq akoma, gjoja si të zgjedhur.

Për të “apasionuarit” e Servantesit, nuk është nevoja të zhyten në letërsinë kalorësiake të shek.XVI, për të gjetur personazhet e tyre të dashur, Sanço Pançon dhe të sulmojnë me një krahasim të pakrahasueshëm, pasi, sot, njërin prej tyre dhe më të njohurin, Don (Gjon) Kishotin e kemi “K”bashkiak.

Pse Don Kishot?!

Beteja e kontrabandistit bashkiak të Pukës, duke mobilizuar një lukuni pagatorësh për të rritur përmes propagandës neveritëse performancën e këtij institucioni, ngjason shumë si ato të Don Kishotit me mullinjtë e erës, pasi donkishoteske është jo vetëm shfaqja e këtij bashkiaku me “K” infinit, por edhe veprimet e tij.

Don Kishoti, ose kalorësi i “Fytyrës së Vrerosur”, ishte në kërkim të aksioneve për të shpëtuar të mirët e për të ndëshkuar të keqen, sepse kështu do të duhej të mbante titullin kalorësiak që i kishte veshur vetes.

Edhe “K” (i madh) bashkiaku ynë, (“K” i madh pasi të vetmet profesione në jetë i ka me gërmën “k”), ia veshi titullin e lartë “Kalorës” vetes, kur pretendoi se do të rilindë Pukën dhe për të përmbushur këtë mision, ai gjithnjë ka qenë në kërkim të betejave absurde, pa e gjetur dot të keqen, pasi sipas tij, çdonjëri që nuk i bën fresk, është erë që vë në lëvizje mullinjtë e luftës së tij.

Duke e konceptuar si të tillë betejën me opozitën, ky kalorës i tufës së servilëve dhe spiunëve, ka dëshmuar se është një personazh grotesk, i aftë të prodhojë parodi për audiencën e tij shurdh-memece dhe cirkuistikë për garnizonin e tij të verbër.

Donkishoti ynë, e ka kuptuar që opozita në rastin e tij, është shumica e qytetarëve, (30 qershori e hodhi në opozitë me qytetarët, pasi këta të fundit, përveçse e bojkotuan masivisht, por dhe ata që morën pjesë e surprizuan me kundërshtinë e tyre përmes votave me dedikime objektesh speciale, si: litar, koshere, organin gjenital mashkullor, etj, etj), dhe duhet të kuptojmë se “egërsinë” e tij e ka me shumicën e qytetarëve pukjanë, të cilët tashmë këtë personazh, e portretizojnë si tragjikomik, për vetë ngarkesën dhe anën emocionale që shprehin veprimet dhe sjellja e tij me qytetarët.

Shumë shpejt do vijë koha, që donkishotit tonë, t’ia bëjmë një “nder”, duke e zbritur me këmbë në tokë dhe duke e shkëputur nga krahët e fantazisë dhe të marrëzisë.

Deri atëherë, le të jetojë me ëndrrën e bukur të kalorësisë dhe të ndjehet i ekzaltuar me fitoret e tij imagjinare, kundër mullinjve të erës.

Shënim: Don Kishoti – personazhi ynë tragjikomik:

Tragjik, sepse ai priret nga dëshira për të kryer heroizma, shfaqet krekosës, dëshiron të luftojë për drejtësinë dhe ka ndjenja humane, (ti sjell ndihmat te shtëpia, pa u reklamuar fare), dhe dëshiron të ndihmojë të tjerët, pa asnjë interes, (votën e kërkon ky dreq).

Komik, sepse ka mosbalancim të fjalëve dhe veprimeve, jeton me ëndrra, me iluzione, (Puka me ardhjen e tij ka rilindur, para ardhjes së tij ekzistonte epoka “kontrabandiste, po kacafytet me koronavirusin, për ta konsideruar të sotmen, epoka kovidiane, apo gjoniane), dhe sepse do të ktheje prapa rrotën e historisë, (për këtë ka një meritë, pasi deri më tani ka ndryshuar emrat e shesheve, rrugëve, po fshin nga faqja e dheut institucione, ndoshta në të ardhmen do ndryshojë dhe emrin e qytetit duke vendosur të vetin, për ta bërë manastir me destinacion turistik).

Artikulli paraprakGjykata merr vendimin për shoferin e ambulancës që përplasi për vdekje 10-vjeçarin në Kakavijë
Artikulli tjetërVideo/ Tabaku kujton mashtrimet e Ramës: Në 7 vjet nuk mbajti asnjë premtim, gënjeu shqiptarët për pushtetin e tij