“Kur gjithçka ndal, politika kthehet në biznes serioz”

Pranvera SHEHAJ,
Politologe, Ekonomiste

“Politika nuk është lojë, ështe biznes serioz.” (Winston Churchill)

E nis diskutimin mbi supozimin se kjo thënie mund të gjejë vend sot për sot në vorbullën naive të një vendi si Shqipëria. Supozimet nuk janë vërtetësi në asnjë shkencë, e si të tilla nuk kanë si të jenë as në kontektse më të thjeshta. Megjithatë, përdoren për të ngritur hipoteza më së shumti në shkencat ekonomike, si parakusht për t’i dhënë kuptim rezultateve e për të shmangur objeksione. Andaj supozoj, e kështu i paraprij argumentit bazik e si të tillë të shumëgjendur – (bazikja është gjithmonë e thjeshtë, andaj preferohet nga shumica) – “se Shqipëria nuk mund të analizohet duke paralelizuar me shtete, të cilat janë vite dritë larg nesh!” Si përfundim, supozoj se mundet, (përsa kohë për mua mundet dhe duhet), e si rrjedhojë politika në Shqipëri është ndoshta forma më inteligjente e biznesit, nëse do t’i referohesha një analize të thjeshtë ekonomike, kosto-përfitim.

Muajt e fundit kanë qenë një përzierje ndjesish, ku frika dhe ankthi, bindja masive e mosbindja sporadike do të mund të shpjegoheshin pjesërisht me teorinë e Gustave Le Bon: “psikologjia e turmës”. Shkurtimisht, për cdo konformist ‘të verbër’, po shpjegoj se c’mendon Le Bon, e kështu nis dhe mbyll një prezantim mbi sfondin aktual të shoqërisë në këto muaj. Le Bon i sheh turmat si një forcë e padrejtë dhe bartëse e dekadencës, ndërsa lartëson pakicat si forca të afta për të krijuar. Në vizionin e tij, masa – e përshkuar nga ndjenjat autoritare dhe jotoleranca – krijon një pavetëdije kolektive përmes së cilës individi është i privuar nga vetëkontrolli, por që gjithashtu bën që turmat të priren për konservim dhe të orientohen nga faktorë të jashtëm, sidomos nga prestigji dhe karizma e individëve brenda vetë masës.

Në këtë mënyrë individi humb fuqinë e arsyetimit duke aprovuar instiktivisht atë që bën turma, pa qenë i aftë të kuptojë motivin pse reagon në një mënyrë apo në një tjetër. Shkurtimisht, arsyet pse turma sillet si një trup i vetëm janë dy: së pari, sepse masa kolektive është duke bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë, në shumicën e rasteve duke ndjekur individin që udhëheq brenda turmës ose mbi turmën, ndaj të cilit adhurimi është i padiskutuar. Arsyeja e dytë ështe frika ndaj të vepruarit ndryshe, e kjo qëndron përtej sfondit të sociologjisë apo politikës. Është një aspekt, i cili ka të bëjë me unin e individit, me pavarësinë e të menduarit, të vepruarit, me autoritetin mbi veten, me besimin se ti je i aftë të zgjedhësh më të mirën për veten, qoftë kjo në kundërshtim të plotë me atë c’ka ndodh rreth teje. Karaktere të tilla janë të rralla e tmerrësisht unike, që do të thotë se në cdo shoqëri ka vetëm turmë dhe fare pak ekscentrikë, edhe pse gjeneza e qenies njerëzore kërkon të jetë e kundërta.

E pra, këto kohë kur turma sillej ekzaktësisht si turmë, nuk njoh asnjë shtet të paktën në Evropë, të ketë pasur një dinamizëm politik si ai i politikës shqiptare. Sigurisht, përjashtim bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për ta motivi është transparent dhe lehtësisht i arritshëm nga një logjikë e ftohtë: të jesh përpara zgjedhjeve elektorale për qeverinë më të fuqishme të planetit nuk është e lehtë, e si rrjedhojë ujërat trazohen muaj e muaj përpara. Cuditërisht, edhe pse në një realitet krejtësisht të përmbysur krahasurar me SHBA, në një vend diku në Evropë, edhe pse pa qenë evropian, dinamizmi dhe aktviteti politik ishte thuajse njësoj: një vrull ngjarjesh politike ku projekte që zvarriteshin në fjalimet “brilante” të parlamentit morën zgjidhje.

Kur turma flinte, politika ishte e vetmja sipërmarrje, e cila kurrë nuk fjeti, duke qëndruar imune ndaj cdo lloj vorbulle shoqërore (refuzoj ta quaj “vorbull shëndetësore” përsa kohë fataliteti i saj deri më sot kurrë s’mund të krahasohet me fatalitete të tjera në një kohë qindra herë më të shkurtër në shumë kombe kryesisht të botës së tretë, por ky është mendim që s’i takon turmës). Teatër që zë vend e që prishte gjumin e vizionarëve prej më shumë se 20 vitesh, kulla që presin, reformë zgjedhore që për të parën herë mendohet të mos jetë bastarde, por të ketë emër e mbiemër. Shqiptar apo të huaj? Kjo mbetet ende për t’u parë, por fundja progres është edhe ky.

Veting i vetingut, ku të gjykuarit për të gjykuar drejtësinë për fat të keq duheshin rigjykuar. Paralelisht, objektiv i sipërmarrjes së fuqishme e të zgjeruar politike, dolën pronat në bregdet, ku shtetëzimi i vijës bregdetare mbetet nënteksti i reformistëve të këtyre kohëve kinse kaq të vështira. Sigurisht, do të ishte naivitet e ndoshta edhe keqdashësi të mos besoje se kohëra të tilla kanë liderë që rrinë zgjuar bashkë me sipërmarrjen e tyre për elektoratin, për votuesit, për kombin të cilin drejtojnë pa dallim bindjeje politike. Ndaj të tillë liderëve, misioni i të cilëve është t’i marrin prej dore kombet e paditura e t’i udhëheqin me durim në emër të sakrificës e bamirësisë, vetë turma ndjen një lloj detyrimi që shkon deri në përulje.

Duke i zhveshur cdo lloj paragjykimi, një ndjesi e tillë është sigurisht e justifikuar me mënyrën si funksionon psikologjia politike, e këtë justifikim një politikan me eksperiencë mbi supe, e njeh më së miri. Të udhëheqësh me autoritet është strategjia e duhur në të tillë mënyrë që e vetmja herë kur jep liri të mos harrohet kurrë. Kështu funksionon pak a shumë në cdo aspekt të vendimmarrjes politike.

Nën sfondin e situatës globale, kur mbyll biznese të mëdha e të vogla dhe injoron për disa muaj nevojën e shtetasve të tu për të jetuar minimalisht me dinjitet njerëzor e pastaj si kontribues të këtij vendi, një mëngjes firmos për një ndihmë qesharake, duke e ditur mirë se krahasuar me hiçin ajo ndihmë nuk harrohet lehtë. Kjo është sigurisht strategji e jashtëzakonshme shitjeje e marketingu, ku meskiniteti si lider kamuflohet nga nevojat ekzistenciale të një shoqërie të denigruar moralisht dhe ekonomikisht. Emergjenca dhe jehona e ngjarjes ndjek rigorozisht vende me popullsi e levizje të pakrahasueshme me Shqipërinë, por përdoret mjeshtërisht për konsolidimin e rolit totalitar në vendimmarrje dhe komunikimin strategjik me elektoratin nën efektin psikologjik të panikut.

Ekonomia kalon në një shok të pariparueshëm si rezultat i mungesës absolute të nderhyrjes shtetërore, por fundja ky vend njihet për informalitet e cdo familje shqiptare e di mirë se jeton në një shtet ku pasiguria është e vetmja siguri për të nesërmen, andaj vetëmenaxhohen. Megjithatë, cdo qeveri, aq më tepër në vende të cilat nuk kanë parime themelimi, por vijnë nga një mentalitet tmerrësisht totalitar së pari në kontekstin politik, e më pas ekonomik e shoqëror, e di mirë se gjithcka është më e lehtë kur ke konsensin e një force opozitare. Duke iu rikthyer përkufizimit të Churchill, ekzaktësisht si në dimensionin e biznesit, aty ku kartelet (në pamundësi të monopolit të plotë) janë përherë më favorizuese se konkurrenca, kështu ndodh edhe me biznesin politik.

Aq më tepër kur turma kalon nga gjumi i zakonshëm në hipnozë, rregullat mirëkuptohen nga të dyja palët përsa kohë besojnë në një të mesme të artë ku mëkati i përbashkët peshon më pak se ai i njëanshëm. Turma vazhdon në hipnozë, ndërsa në dyert e ambasadave e në tryezat e bisedimeve jepen e merren vendime mbi shqiptarët. Flitet se po punojnë që shqiptarët t’i gjykojnë më mirë, t’i integrojnë në Evropën e shumëdëshiruar, t’i ndihmojnë të kenë një reformë zgjedhore që do të garantojë vullnetin e tyre të shprehur me votë.

E ndërsa reforma zgjedhore jozyrtare, ajo e mesazheve dhe marrëveshjeve të sërës shqiptare, padashur i ka shpëtuar vigjilencës së diplomatëve. Edhe pse kalimthi, ashtu si zakonisht ndodh në kohëra emergjence, çudi s’është për askënd që “i pushtetshmi” t’i ofrohet kundërshtarit sepse atje ku është bërë tregti njëherë, me siguri ka ende rrugë për njëherë të dytë. Flitet se palët dakortësojnë mbi programe që rëndesa e thellë psikologjike dhe shëndetësore e shoqërisë sot s’do të mund t’i përballonte, e në emër të përkujdesjes, zgjedhim t’i mbajmë larg.

Absurdi fillon dhe mbaron me përjashtimin e opinionit publik ndaj të tillë dinamizmi politik, ku media si i vetmi mekanizëm që do të mund t’i kishte shpëtuar hipnozës shoqërore, ka zgjedhur të përkujdeset edhe ajo vec për shëndetin e shqiptarëve duke relativizuar cdo lloj ngjarje aktuale politike, pasojat e të cilave besoj se historikisht kanë “infektuar” më shumë se një gjeneratë. Kur “drama shëndetësore” ishte ulur këmbëkryq, kishte nga ata shqiptarë, të cilët prej pranverës së vitit të shkuar, e më pas prej tetorit të 2019, prisnin samitin e Zagrebit mbi Ballkanin Perëndimor, në të cilin sipas raportit të Komisionit Evropian të vitit 2019 pritej të jepej një vendim mbi hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Se di a ta quaj harresë, mungesë profesionalizmi apo një mentalitet i shëmtuar që ka përdhosur në cdo aspekt atë që shpesh në vende të ndryshme të botës inicionte revolucione shpirtëroe, shoqërore e politike, median.

Askund nuk u fol për dështimin e radhës, e nëse u fol, askund nuk u tha se për të parën herë Parlamenti Evropian tejkaloi rigorizitetin e Bundestag-ut gjerman, duke përplasur fort Shqipërinë në prapambetjen dhe degradimin politik dhe ekonomik të saj. E trishtë, por më e trishtë të besosh se prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në qershor të vitit 2006, sijnalet pozitive kanë trokitur rrallë në derën e integrimit të Shqipërisë në BE, si e vetmja derë që sot për sot, të paktën formalisht, do t’u jepte shqiptarëve imunitet ndaj fatalitetit të një mentaliteti politik klasik ballkanik e lindor. Kam përshtypjen se në pak rreshta ia dola të shpjegoj se turma ka përjashtime e se sipërmarrja, ajo e sigurta, ajo e fuqishmja, ajo që prevalon mbi cdo lloj tregu e konkurrence, sipërmarrja politike kurrë nuk bëhet pjesë e turmës.

Kjo hipnozë disa mujore s’ishte për të, sepse politika nuk është lojë, është biznes i zellshëm, agresiviteti i të cilit nuk njeh emergjenca apo situata që shkundin funksionimin normal të aktivitetit të saj. Politika s’është dhe s’mund të funksionojë kurrë si turmë. Kushti i parë i imunitetit të saj ëahtë distancimi nga turma, një virtyt që s’mund t’i mohohet sipërmarrjes politike shqiptare. Ajo eci, kreu gjithcka, shiti cdo ditë ç’ka prodhoi e kjo me një konsensus të heshtur të “kinse opozitës” që trazon herë pas here në ndonjë studio televizive ku vec për zhurmat e ambasadave e tryezave nuk flitet. Ka një arsye të fortë pse ky koordinim i palëve shqiptare ka jetë po aq sa kanë jetë zvarritjet e instalimit të demokracisë. Ai ngrihet mbi parimin “besnikëria mbaron aty ku përfitimi ndalon”, andaj përsa kohë ka heshtje, ka përfitim, e përsa kohë të ketë përfitim besnikëria ndaj degradimit total të këtij vendi do të vazhdojë…të paktën deri atëherë kur ky vend t’i ngjajë një pikture ku vec natyrës asgjë s’merr më frymë e shqiptarët ta kenë arritur Evropën para se Evropa t’i thërriste zyrtarisht.

Artikulli paraprakRritet numri i viktimave nga Covid-19, humbin jetën edhe 4 persona të tjerë tek Infektivi
Artikulli tjetërBasha: Të punosh dhe bësh biznes në Shqipëri është një luftë e përditshme me qeverinë! Ndryshimin nuk ka forcë ta ndalë askush!