16 mijë tonë karburante nuk u zhdoganuan në shtator

Të ardhurat e buxhetit të shtetit për periudhën janar-shtator 2016 ngecën në 298.1 miliardë lekë, duke krijuar një deficit prej 7.2 miliardësh në krahasim me planin fillestar 2016, si dhe një deficit prej 4.5 miliardë lekësh në krahasim me planin e rishikuar të të ardhurave të muajit gusht.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat u rritën me 6.8 për qind, një rritje e dobët kjo për shkak se viti 2015 qe një vit shumë i keq për të ardhurat buxhetore, ndërsa buxheti i këtij viti pati planifikuar shtimin e të ardhurave totale vjetore me 10 për qind.
Të ardhurat e qeverisë qenë më të ulëta se sa plani në të gjitha zërat kryesorë, përfshirë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, nga akcizat, taksat nacionale etj. Të ardhurat qenë më të larta se sa plani në zërin e Tatimit mbi Fitimin apo të ardhurat nga pushteti vendor. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore patën një deficit të vogël në krahasim me planin.
Ministria e Financave publikon bilancin e të ardhurave dhe shpenzimeve çdo muaj në faqen e vet në internet.
Problemi kryesor në të ardhurat e munguara të qeverisë për shtatorin lidhet me rënien e papritur të importit të karburanteve dhe cigareve gjatë muajit shtator. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, importi i karburanteve ra në 36 mijë tonë në muajin shtator nga gati 52 mijë tonë që qe në muajin gusht. Importi i cigareve ra në 248 tonë në muajin shtator, nga 278 tonë në gusht.
Deficiti i të ardhurave të buxhetit të shtetit në krahasim me planin ka gjasa që do të thellohet edhe më shumë në muajt e mbetur të vitit.
Ndërsa deficiti në të ardhura është krahasimisht më i ulët këtë vit se sa vitin e kaluar, problemi më i madh aktual për buxhetin e shtetit është mungesa e investimeve. Për periudhën janar-shtator 2016, buxheti i shtetit pati në total 10.5 miliardë lekë më shumë të ardhura se sa shpenzime, ndërkohë që në buxhetin e këtij viti është planifikuar një deficit i përgjithshëm prej 35.7 miliardë lekësh.
Problemi u kritikua së fundmi nga Banka e Shqipërisë, e cila argumentoi se shpenzimet e buxhetit duhet të shtrihen në mënyrë sa më të barabartë përgjatë të gjithë vitit për të mos shkaktuar presione të panevojshme për ekonominë. Por qeveria vijoi të hasë probleme me shpenzimet, ku një numër i madh projektesh investuese të rëndësishme, përfshirë autostradën Tiranë–Elbasan, by pass-in e Fierit apo atë të Vlorës, janë të bllokuara. Deri në fund të shtatorit, plot 40 për qind të investimeve publike nuk janë realizuar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pavarësisht se kanë mbetur vetëm 3 muaj deri në fund të vitit.

Borxhi i qeverisë në letrat me vlerë

Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2016 u dominua në masën 78.12% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 21.88% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Përsa i përket numrit të transaksioneve, 93.14% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2016 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 58.32% dhe 26.74% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 99.42% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Dy grupet e transaksioneve B dhe C

Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-shtator 2016, ka pasur një ulje prej 775 milionë lekë ose 14.33% krahasuar me periudhën janar-shtator 2015 dhe numri i transaksioneve është rritur në masën 10.31%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-shtator 2016 ka pasur një rritje prej 930 milionë lekë ose 48.07% krahasuar me periudhën janar-shtator 2015 dhe numri i transaksioneve është rritur në masën 41.44%.
Krahasuar me periudhën janar-shtator 2015, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 155 milionë lekë.

“BIRN”

Artikulli paraprakGarë mes sondazheve, Trump del përpara Hillary Clinton?
Artikulli tjetërBB: Shqipëria, taksat më të larta për bizneset në Europën Qendrore