15 mijë tonelatat e drogës, rrezik për Sigurinë Kombëtare

Presidenti i vendit Bujar Nishani mblodhi dje për 3 orë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për situatën e krijuar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura, nisi rreth orës 18:00 dhe përfundoi në 21:21. Presidenti ka kërkuar të dijë nga aktorët përgjegjës të institucioneve shtetërore se cilat janë shkaqet që sollën këtë situatë me kultivimin e narkotikëve dhe si do të luftohet fenomeni që ka shqetësuar dhe partneret.
Gjendja alarmante dhe raportet shqetësuese të shërbimeve inteligjente të vendeve partnere kanë detyruar Presidentin e Republikës Bujar Nishani, të thërrasë dje Këshillin e Sigurimit ku ka raportuar ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Raportet thonë se vetëm për vitin 2016, në të gjithë vendin janë mbjellë rreth 20 milionë rrënjë kanabis, ose 15 mijë ton, ose më shumë se 15 mijë hektarë, duke kthyer Shqipërinë në prodhuesin dhe eksportuesin më të madh të hashashit në Evropë. Deri më tani nuk ka një strategji bazë dhe raportet e inteligjencës vlerësojnë se është bërë pak ose aspak nga ana e policisë, në luftën kundër këtij fenomeni. Gjithashtu, të njëjtat raporte kanë saktësuar se dhe vetë policia nga qendra në bazë në të shumtën e rasteve është përfshirë në mbjelljen dhe trafikimin e kanabisit. Siç është provuar në jo pak raste, agjentë të ndryshëm policie kanë marrë përsipër mbrojtjen e trafikantëve, ndërsa nga ana e saj vetë Ministria e Brendshme është munduar të fshehë shifrat, siç ishte rasti i Vlorës, kur 23 tonët e kapur nga Prokuroria u kthyen brenda natës në 23 kilogramë. Dhe jo vetëm kaq, por krerët e trafikut të drogës, ose lajmërohen më parë nga strukturat e larta shtetërore, por edhe në rastet kur ato kërkohen nga sherbimet policore të vendeve fqinje, nuk veprohet për t’i dërguar përpara drejtësisë, siç ishte rasti i Klement Balilit në Sarandë, i cili jo vetëm vepron lirshëm në qytetin e tij, por as pasuria nuk i vendoset nën sekuestro. Të gjitha këto, dhe mungesa e një strategjie apo vullneti për ta luftuar fenomenin, kanë detyruar Presidentin të thërrasë Këshillin e Sigurimit.
Zëvendës kryeministri Niko Peleshi deklaroi në përfundim të mbledhjes se ishte një tryezë e vonuar e cila duhet të ishte mbledhur me kohë dhe se pritet që në muajin janar të hartohet një strategji kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, “ndonëse është një fenomen që nuk ka lindur sot”, siç tha edhe Peleshi.
Ashtu siç pritej Rama ka bojkotuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Rama nuk kishte se si të merrte pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëatre ku flitej për drogën, në një kohë që ai vetë është arkitekti i shndërrimit të vendit në një kartel droge.
Rama ka kosnideruar më të rëndësishme ekspozitën në Neë York. Kanë qenë prezent në takim të gjithë anëtarët e kabinetitit qeveritar, dhe ata ministra që kishin shpallur mospëlqimin e tyre. Përveç Kryeprokurorit, Adriatik Llalla, Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, Kryetarit të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, Kreut të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, të dërguarit të Ramës, Niko Peleshi, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, pjesëmarrës kanë qenë  dhe ministrat Ylli Manjani, Ditmir Bushati, Arben Ahmetaj, Sokol Dervishi, por edhe Mimi Kodheli dhe Sajmir Tahiri. Të dy këta të fundit, kanë shprehur mosdakrotësinë për thirrjen e kësaj mbledhjeje. Mimi Kodheli, në cilësinë e ministres së Mbrojtjes ka kërkuar që të përfaqësohej nga zëvendësi i saj Petro Koçi, gjë e cila nuk është pranuar nga Presidenti, duke i sjellë si argument rëndësinë e informacionit që kanë mbledhje të këtij niveli, të cilat nuk mund të përfaqësohen në rang zëvendësministrash. Por vetëm dy ditë më parë, edhe ministri I Brendshëm, Sajmir Tahiri, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, linte të kuptohej se nuk ishte dakort me këtë mbledhje, duke shprehur dhe një herë siç e ka zakon, sukseset në luftën kundër kanabisit. Nga një panoramë e përgjithshme duket se i gjithi kabineti qeveritar i kryesuar nga Rama, nuk ka qenë dakort me mbledhjen e thirrur nga Presidenti i Republikës, madje kanë punuar deri në fund që kjo mbledhje të dështojë. Kujtojmë këtu dhe folkloristin kryeministër që mundohej ta cilësontë si politike, duke pretenduar sukses në luftën kundër kanabisit. Atëherë lind pyetja, kush i detyroi ministrat e Ramës, të merrnin pjesë onbllock në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar?! Ligji? Vështirë të besohet, duke pasur parasysh se si funksionon kjo qeveri.

Deklarata e Presidencës: Po kriminalizohet shoqëria

Këshilli i Sigurisë Kombëtare nënvizoi shqetësimin se ky fenomen i përhapur përbën një aktivitet të rëndë kriminal me tendencë kriminalizimin e shoqërisë, me ndikim negativ në ekonominë e vendit, korrupton shoqërinë, dëmton shëndetin e qytetarëve dhe cënon imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Duke e konsideruar si një kërcënim ndaj çështjeve të sigurisë këtë fenomen, u theksua domosdoshmëria për forcimin e bashkëpunimit ndër-institucional, si dhe rritja e bashkëpunimit efikas me agjencitë dhe institucionet partnere ndërkombëtare që operojnë në këtë fushë.
Gjithashtu u evidentua rëndësia që ka trajtimi i kësaj çështjeje në frymën e angazhimit konsensual dhe me realizëm, duke përfshirë edhe masa të rrepta për goditjen e elementëve të inkriminuar që kanë arritur të penetrojnë në organet ligjzbatuese.
Në mbyllje Presidenti Nishani mirëpriti kontributet konstruktive të përcjella në këtë takim, duke vlerësuar se task-forca e ngritur nga ekzekutivi me qëllim arritjen e një bashkëpunimi ndër-institucional më të suksesshëm operacional vërteton përmasën e këtij fenomeni në vend, ashtu si edhe nevojën për ta luftuar atë më me vendosmëri dhe efikasitet.

Enton DACI

Artikulli paraprakRrezik për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?
Artikulli tjetër“Nata e Shën Bartolomeut” në Tiranë