14 ditë nga greva e urisë në Zharrëz, përkeqësohet gjendja

Prej dy javësh, nëntë banorë të Zharrëzës në Fier ndodhen në grevë urie dhe jeta e tyre është në rrezik. Gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar së tepërmi. Kurse banorët çdo natë bllokojnë rrugën Fier-Berat. Nga ana tjetër, premtimi se Kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balili, do të takohej me banorët rezultoi vetëm një mënyrë për të zhbllokuar aksin rrugor Fier-Berat, të cilin banorët po e bllokojnë në shenjë proteste për indiferencën ndaj situatës në Zharrëz.
Asnjë përgjigje nuk ka mbërritur nga grupi ndërministror i ngritur një muaj më parë pas lëkundjeve të tokës, në fushën naftëmbajtëse Patos Marinëz. Që prej së hënës, grevistët kanë refuzuar edhe ujin. Ata vendosën të refuzojnë edhe serumet, por kjo nuk është lejuar nga familjarët, të cilët i kanë dërguar në spital mesatarisht një herë në çdo 12 orë. Kjo është greva e dytë e urisë pas lëkundjeve të fuqishme të tokës në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinëz një muaj më parë. Ata kërkojnë verifikimin dhe kompesimin e dëmeve në banesa dhe mjedis, në të kundërt nuk dalin nga greva.
Banorët akuzojnë kompaninë, Bankers Petroleum, për shpërthime nëntokësore gjatë nxjerrjes së naftës, por kjo e fundit nuk e pohon një gjë të tillë. Nga lëkundjet e vazhdueshme të tokës që prej vitit 2007 në fushën naftëmbajtëse janë dëmtuar qindra shtëpi në fshatrat Zharrëz Belinë dhe Marinëz. Banorët protestuan dhe hynë në një grevë urie që zgjati 1 javë. Ata dolën prej andej pas një vendimi të Këshillit të Ministrave, që vendosi ngritjen e një grupi pune ndërministror. Ky grup pune do të hetonte shkaqet e lëkundjeve të tokës, për të cilat banorët akuzojnë kompaninë Bankers Petroleum, si dhe do të llogariste dëmet në banesa e mjedis brenda muajit janar.

Artikulli paraprakMejkët: Urgjenca e Tiranës në kushte skandaloze dhe kaos
Artikulli tjetërPse gënjeu policia shqiptare për kapjen e 8 tonëve drogë