130 mijë USD, si e financon Rilindja biznesin privat të Zana Çelës

Një tjetër rast flagrant i shtohet listës së përfituesve të preferuar të oborrit kryeministror me fonde publike, megjithëse në konflikt të hapur interesi. Zana Çela, drejtoresha e Ramës në Teatrin e Operave ka përfituar jo pak fonde publike nga institucione të ndryshme shtetërore përmes OJF së saj private.
Fondet që ka përfituar në dy vite OJF-ja private e drejtoreshës së TKOB-së, Zana Çela janë të barabarta me buxhetin vjetor të institucionit që ajo drejton.
“Hashtag.al” ka përllogaritur të dhënat e publikuara nga OpenData, shifrat tregojnë se zonja Çela ka përfituar çdo vit rreth 35 mijë dollarë vetëm nga Bashkia e Tiranës për organizimin e festivalit “Marie Kraja”.
Këtë festival zonja Çela e organizon nëpërmjet OJF-së së kontrolluar prej saj të quajtur “Kulture Media Art”.
Por financimi për festivalin “Marie Kraja” ka vijuar dhe nga ana e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. Nga kjo agjenci vetëm për vitin 2014 Zana Çela me shoqatën e saj është financuar rreth 28 mijë dollarë (një fond i madh ky në emër të “shoqërisë civile”), ndërsa në periudhën 2015-2016 i janë akorduar 45 mijë dollarë të tjera nga e njëjta agjenci.
Po kaq bujare rezulton dhe Ministria e Kulturës duke i dhënë rreth 23 mijë dollarë në 2 vite për të njëjtin festival. Për vitin 2016 Bashkia e Tiranës ka akorduar dhe 15 mijë dollarë të tjera.
Në harkun kohor të një viti e gjysmë OJF-ja private e zonjës Zana Çela ka përfituar rreth 130 mijë dollarë nga fondet publike.
Kjo shumë është e barabartë me buxhetin vjetor të Teatrit të Operas dhe Baletit, institucion publik në të cilin zonja Çela është drejtoreshë.
Edicioni i fundit i festivalit “Marie Kraja” ishte edhe më i dyshimtë sepse ky festival u organizua në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Gjasat janë për një konflikt interesi sepse drejtuesi i  institucionit s’mund të bëjë festivalet e veta.
Duke shfrytëzuar sopranon Inva Mula, Zana Çela u përpoq të dukej sikur nuk kishte marrëdhënie në këtë aktivitet privat, por OJF-ja që ka marrë financimin për aktivitetin është themeluar nga zonja Çela dhe kontrollohet prej saj.
Është interesante se si në një festival ku konkurrentët vijnë falas dhe ku në rastin e  fundit u shfrytëzua infrastruktura e Operas (ku Zana Çela është njëkohësisht drejtoreshë) merr të tilla fonde si shoqëri civile apo nga Bashkia e Tiranës.
Zonja Çela ka qenë gjithmonë e lidhur me Ramën si ministër Kulture dhe si kryetar bashkie. Ajo u largua dikur nga Teatri i Operas duke e lënë institucionin në gjyqe me artistët për shkak të pushimeve nga puna.

Hashtag.al

Artikulli paraprakEurostat: Shqipëria, me më pak rrugë e hekurudha në rajon
Artikulli tjetërBarça mund t’i fitojë të 3 titujt