120 mijë dollarë në vit për mirëmbajtjen e Aeroportit të Kukësit

Aeroporti i Kukësit që kur u ndërtua në vitin 1999 nuk është vënë asnjë ditë në punë, por ndërkohë ka krijuar harxhime të konsiderueshme në financat publike te vendit.
Aviacioni Civil vetëm për këtë vit ka planifikuar të prokurojë rreth 15 milionë lekë për mirëmbajtjen e objektit, pa përfshirë rrogat e punonjësve. Shpenzimet më të mëdha janë për shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë së aeroportit, që llogariten në 14 milionë lekë vetëm për këtë vit.
Gjithashtu për mirëmbajtjen dhe riparimet e zyrave janë planifikuar 333 mijë lekë për këtë vit dhe po kaq para janë planifikuar të tenderohen për mirëmbajtjen e objekteve. Me gjithë rrogat e punonjësve shpenzimet publike për Aeroportin e Kukësit llogariten në miliona euro që kur ai u ndërtua në vitin 1999.
Por nëse objekti vihet në punë sipas planit të qeverisë do të duhen miliona euro shtesë investime për ta bërë funksional. Duke qenë se kanë kaluar 15 vite nga ndërtimi i tij kostot e amortizimit janë të larta ndaj duhen investime të reja. Mirëpo qeveria shqiptare shpreson t’i faturojë këto harxhime kompanisë që do të ofrohet për të marrë në administrim këtë aeroport.
Objekti aktualisht është ndërtuar në anë të qytetit në afërsi të Autostradës së Kombit dhe shihet të jetë me leverdi për fluturimet low cost. Ndërtimi i aeroportit verior kushtoi rreth 12 milionë dollarë, por studimet e fizibilitetit të bëra në dekadën e fundit nuk kanë qenë shumë optimiste. Ndërkohë Ministria e Transportit ka sqaruar se, kompanitë e huaja po interesohen për Aeroportin e Kukësit.

Artikulli paraprakTohir: Bëjmë tre goditje të mëdha
Artikulli tjetërPogba: Milani nuk vjen për shëtitje