Bashkia Kamëz: Gati projekti i rrugës, presim financimin e qeverisë

Bashkia e Kamzës reagon lidhur me kërkesën e qytetarit Xhevahir Deda për shtrimin e një rruge në afërsi të banesës së tij. Në një deklaratë për mediat, Bashkia e Kamzës thotë se, personat me aftësi të kufizuar kanë qenë prioritet i këtij institucioni si me përjashtimin e tyre nga disa taksa, ashtu dhe me shpërblime. Lidhur me shqetësimin konkret të invalidit nga Babrruja, Bashkia Kamëz thotë se ka gati projektin për shtrimin e rrugës, por shpreson që qeveria të financojë këtë investim, pasi vetë e ka të pamundur financimin për këtë vit buxhetor.
“Bashkia Kamëz ka pasur dhe ka gjithnjë prioritet përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në 3 mandatet e Xhelal Mziut janë shtruar me qindra kilometra rrugë në territorin e Kamzës dhe këtë vit prioritet është Njësia Administrative Paskuqan, ku veç rrugës kryesore do të bëhet edhe rikualifikimi i Qendër-Babrrusë. Jo vetëm qytetari Xhevair Deda, por çdo qytetar i Kamzës dhe Paskuqanit është dëshmitar i përmirësimit të dukshëm të infrastrukturës, veçanërisht rrugore nga viti në vit.
Prandaj, në përgjigje ndaj letrës së qytetarit Deda, personi me aftësi të kufizuara, duam të sqarojmë që prioriteti ynë kryesor dhe i vetë kryebashkiakut Mziu është të jemi pranë kësaj shtrese në nevojë, kryesisht në lehtësirat e krijuara në përgatitjen e paketës fiskale të votuar në Këshillin Bashkiak, duke i përjashtuar nga disa taksa dhe tarifa vendore si dhe nuk u kanë munguar edhe shpërblimet e dhëna nga Bashkia.
Qytetarit Deda, zoti Mziu i ka dhuruar edhe një laptop si ndihmë ndaj tij. Sa i përket kërkesës për shtrimin e rrugës, Bashkia Kamëz ka gati projektin, por e ka të pamundur financimin këtë vit buxhetor dhe shpreson që qeveria të financojë këtë investim që do të ketë impakt social për qytetarin Deda dhe banorët e zonës”, përfundon njoftimi për shtyp.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërMustafa interesohet të sjellë në Kosovë një kompani të madhe belge