11 vatra zjarri në 6 qarqe gjatë 24 orëve të fundit, rëndohet situata

11 vatra zjarri janë shfaqur gjatë 24 orëve të fundit në disa qarqe të vendit si Tiranë, Shkodër, Dibër, Fier, Berat dhe Elbasan. Situata më problematike ishte në Qarkun e Fierit, Beratit dhe Dibrës ku si pasojë e flakëve një sipërfaqe prej rreth 15.5 ha me shkurre, ferra dhe 500 rrënjë ullinj të moshës së vjetër janë djegur.
Qarku Fier
Në Qarkun e Fierit zjarri i rënë në mesditë në një kodër të fshatit Selitë, Njësia Administrative Selitë, Mallakastër ka djegur një sipërfaqe prej rreth 8 hektarësh me shkurre dhe ferra. Për shkak të terrenit të thyer nuk u angazhuan automjetet e zjarrfikësve dhe zjarri është fikur me mjete rrethanore nga zjarrfikëset në bashkëpunim me punonjësit e Pyjores dhe komunitetin.
Qarku Berat
Në Qarkun e Beratit ka pasur 3 vatra zjarri ku më problematikja ka qenë në lagjen “Qafa e Kalasë”, poshtë shpatit të Kalasë të qytetit Berat. Nga zjarri u dogj një sipërfaqe prej rreth 6 ha me shkurre e ferra dhe 500 rrënjë ullinj të moshës së vjetër. Ndërkohë në fshatin Malinat, Njësia Administrative Velabisht, Bashkia Berat flakët kanë djegur një sipërfaqe prej rreth 1 ha me shkurre e ferra dhe 30 pemë frutore.
Qarku Dibër
Në Qarkun e Dibrës, në vendin e quajtur Lura nr.2 në fshatin Pregj Lurë, Njësia Administrative Lurë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu dhe pishe. Për shkak të terrenit të thyer, automjetet e zjarrfikësve nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shuarjen e këtij zjarrit. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe pylli prej rreth 0.5 ha.
Zjarr ka pasur edhe në fshatin Vajkal të Bashkisë së Bulqizës. Si pasojë e flakëve është dëmtuar një banesë e braktisur si dhe është djegur një sipërfaqe prej rreth 1.5 dynym me shkurre dhe ferra. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve është bërë edhe shuarja e flakëve.
Qarku Shkodër
Në Qarkun e Shkodrës një vatër zjarri e rënë në një pyll me pisha të larta në fshatin Lajthizë, Njësia Administrative Qafë Mali, Bashkia Fushë Arrëz ka rrezikuar edhe disa banesa. Shërbimi zjarrfikës ka ndërhyrë, duke shuar flakët. Si pasojë e zjarrit u përshkrua nga flakët rreth 1 dynym pyll pishe.
Qarku Tiranë
Në fshatin Zhabjak, Njësia Administrative Kryevidh, Bashkia Rrogozhinë ka rënë një zjarr në një sipërfaqe me shkurre e ferra, ullishte e pemë frutore. Zjarrfikëset bënë të mundur shuarjen e flakëve, të cilat rrezikonin disa banesa në fshatin Zhabjak. Si pasojë e zjarrit u dogjën shkurre e ferra, rreth 16 rrënjë ullinj dhe rreth 12 pemë frutore.
Një zjarr tjetër ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në fshatin Sinaballaj, Njësia Administrative Sinaballaj, Bashkia Rrogozhinë. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 3 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Harizaj, Njësia Administrative Lekaj, Bashkia Rrogozhinë ka rënë një zjarr tjetër, ku 3 banesa që ndodheshin shumë pranë vatrave të zjarrit rrezikoheshin.
Qarku Elbasan
Një zjarr ka rënë në një supërfaqe me shkurre dhe ferra pranë një ullishte në qytetin e Elbasanit. Si pasojë e zjarrit u dogjën shkurre e ferra dhe vetëm 1 rrënjë ulliri.

Artikulli paraprakBiznesmeni Hyka ishte kërcënuar para atentatit
Artikulli tjetërKapen rreth 2 kuintal drogë e tritol në Pukë