Zyrtarët e Policisë, në fushatë përkrah kandidatëve të PS-së

Zyrtarët e Policisë së Gjirokastrës janë bërë pjesë e fushatës elektorale përkrah kandidatëve të Partisë Socialiste. Denoncimi është bërë nga ish-kryeministri Berisha, i cili ka publikuar në Facebook mesazhin dhe fotografitë e zyrtarëve të policisë, që bëjnë fushatë për PS të dërguara nga një qytetar nga Gjirokastra. Juristi i policisë së Gjirokastrës, Juljan Veizi, ka publikuar vetë fotot e mitingut me kryeministrin Rama njërën prej të cilave e shoqëron me nënshkrimin: “Të rinjtë ishin në podium me kryeministrin”.
“Pjesëmarrje aktive e policisë në fushatën elektorale në Gjirokastër! Qytetari dixhital denoncon me dokumenta këtë pjesëmarrje. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor. Ju uroj shëndet. Desha të denoncoj pranë jush si i vetmi zë i të vërtetës implikimin e policisë në fushatën elektorale të Partisë Socialiste kundrejt postimeve në Facebook.
Juljan Veizi, juristi i policisë të Qarkut Gjirokastër jo vetëm që ka marrë pjesë në prezantimin e kandidatëve për deputet të PS nga Edi Rama në datë 22.4.2017, por dhe e publikon në Facebook, ku shprehet si pjesëmarrës dhe në koment poshtë fotos.
Gjithashtu, ai shpërndan postime të Partisë Socialiste dhe njoftime për mitingje të Partisë Socialiste qysh prej datës 30.1.2017 e në vazhdim.
Ajo që më bën përshtypje është se ka shok në Facebook dhe shefin e SHÇBA Gjirokastër, Vasil Kallucin, e vërtetuar dhe me foto, i cili megjithëse është njohur në vazhdimësi me këtë veprimtari të pastër politike që e ndalon ligji shpërdoron detyrën me të paktën 2 nene të Kodit Penal, shpërdorim detyre dhe moskallzim krimi.
Por është e kuptueshme që Vasil Kalluci shpërdoron detyrën për veprimtari politike të ndaluar nga ligji, pasi e ka shpërdoruar dhe për kanabizimin e Qarkut më të kanabizuar në Shqipëri, ku theksoi se pas ikjes së Sajmir Tahirit vetëm në Përmet që njihet si tokë e butë janë sekuestruar 13 ton kanabis dhe nuk është proceduar nga Vasil Kalluci, që e ka për detyrë, asnjë punonjës policie.
Kjo është policia socialiste që duam. Partia mbi Shqipërinë. Bashkangjitur po ju dërgoj dhe fotot dhe ju lutem t’i bëni thirrje ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm që pas verifikimit të marrë masa urgjente për të ndaluar këtë politizim ekstrem elektoral të policisë socialiste. Ju lutem anonim”, shkruan qytetari nga Gjirokastra.
Tashmë është më se e qartë se urdhri i kryeministrit Rama, që punonjësit e administratës publike nuk duhet të jetë pjesë e fushatës elektorale, ishte vetëm për ata të partive opozitare se për simpatizantët e PS-së, ky urdhër nuk ka aspak fuqi. Prej ditësh në fushatën e PS janë përfshirë jo vetëm punonjësit e administratës, por edhe ata të policisë së Shtetit, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Rama në vend që të dënojë këto akte të paprecedent merr në mbrojtje shkelësit e ligjit.
Parlamenti miratoi me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg deri në 7 vjet.
Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, gjatë takimeve me drejtuesit e Policisë së Shtetit, u ka bërë të qartë drejtuesve të policive në qarqe, se cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përfshihet në fushata, duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale. Zyrtarët e Policisë së Gjirokastrës që kanë bërë fushatë për kandidatët e PS përbën shkelje të ligjit ndaj ministri i Brendshëm duhet të marrë masa menjëherë ndaj tyre.

R.POLISI

Artikulli paraprakShkarkohet e paditet zyrtari i ZRVPP, u përfshi në fushatë
Artikulli tjetërKapen në makinën e kreut të PS dy trafikantë droge