Zv/kryetari i KQZ: Zgjedhjet pa opozitën janë farsë

Zv/kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj thotë se data e zgjedhjeve mund të shtyhet vetëm nëse arrihet një marrëveshje, ndërsa zgjedhjet pa opozitën janë thjesht një farsë. Osmanaj sqaron se zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën e kthen vendin shumë vite pas duke zhvilluar një proces që nuk prodhon as vullnetin e lirë të qytetarëve e as i shërben demokracisë në vend. Nga ana tjetër, Osmanaj sjell në vëmendje mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, çka do t’i jepte kohë krijimit të qeverisë teknike dhe zhvillimit të tyre në kushtet e standardeve europiane, të lira dhe të ndershme, ku vota e qytetarit nuk është nën kërcënimin e deformimit të saj. “Çdo anëtar i KQZ-së dëshiron dhe janë të interesuar që të gjitha subjektet zgjedhore të marrin pjesë në procesin zgjedhor sepse nëse nuk marrin pjesë nuk kemi zgjedhje. Janë përcaktime ligjore të Kodit Zgjedhor që nuk na lejon që ne ta shtyjmë datën e zgjedhjes. Nuk është kompetencë e jona. Mund të realizohet vetëm përmes një konsensusi të forcave politike dhe meqë Parlamenti shqiptar është ende i mbledhur dhe komisioni i reformës zgjedhore është i mbledhur, ata nëse forcat politike bien në konsensus mund të bëhet një ndryshim, vetëm për këto zgjedhje në Kodin Zgjedhor, që të shtyhet data e regjistrimit dhe mendoj se do të ishte gjë e mirë nëse do të gjenin një konsensus. Nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, procesi do të paragjykohet. Për mendimin tim nuk mund të quhen zgjedhje, sepse elektorati nuk ka se çfarë të zgjedhë. Nëse do të zgjedhim mes një spektri politik do të kthehemi shumë vite prapa, para viteve 1990. Nuk është dëshirë e askujt për t’u kthyer vite prapa dhe këto zgjedhje janë zgjedhje farsë, sa për të kaluar radhën dhe nuk do të prodhojnë asgjë. Shpresoj që forcat politike do ta gjejnë gjuhën e përbashkët, sepse edhe në zgjedhjet e mëparshme ka pasur probleme në fillim të zgjedhjeve dhe shpresoj që edhe këtë herë do të gjendet gjuha politike”, shprehet Osmanaj. Nga ana tjetër, Osmanaj pranon se kjo situatë ka vënë në vështirësi dhe punën e anëtarëve të KQZ-së. Ai thekson se për shtyrjen e datës së zgjedhjeve duhet një konsensus i gjerë politik, i cili do të vinte nga vullneti i të gjitha palëve për të zhvilluar zgjedhje me standarde. “Nëse opozita nuk merr pjesë në këto zgjedhje ne jemi padiskutim në vështirësi”. Osmanaj flet dhe për një periudhë zgjedhore tjetër. “Nëse forcat politike arrijnë në një konsensus për mendimin tim, më mirë të bëhen zgjedhje sesa të bëhen zgjedhje farsë. Nëse bien në konsensus Parlamenti shqiptar është i mbledhur unë mendoj që edhe mund të shtyhen. Ju e dini se zgjedhjet thirren me dekret të presidentit. Presidenti i ka thirrur më datë 18 qershor. Siç e dini ne kemi dy periudha zgjedhore një 15 mars-30 qershor dhe tjetra 15 shtator-30 nëntor. Siç janë bërë publike edhe mund të shtyhen, kur të arrihet një konsensus apo vullnet i mirë për zgjedhje sipas standardeve”, thotë zv.kryetari i KQZ.

Artikulli paraprakDështimi me vendet e punës, mbi 60% erdhën nga formalizimi
Artikulli tjetërParlamentarë suedezë mbështetje kauzës së opozitës për zgjedhje të lira