Zvicra, Petkoviç preferon 6 shqiptarë

6 futbollistë shqiptarë në listën paraprake të Zvicrës për finalet e “Euro 2016”. Ndër 28 lojtarët që do të grumbullohen nga Vladimir Petkoviç në kuadër të përgatitjeve për eventin madhor të futbollit që do të zhvillohet në Francë, nuk mund të mungonin Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, por as Blerim Xhemaili, Valon Behrami dhe Admir Mehmedi, ndërsa risi mund të konsiderohet përfshirja në listë e Shani Tarashajt, sulmuesit të Evertonit, që në pjesën e dytë të sezonit luajti në formë huazimi te Grasshopers. Ndër të vetmit lojtarë me origjinë shqiptare i mbetur jashtë përfaqësueses helvetike është Pajtim Kasami, aktualisht pjesë e Olimpiacos në kampionatin grek.
Petkoviç çuditërisht nuk ka preferuar Gokhan Inler, i saposhpallur kampion i Anglisë me Leicesterin. Në këtë listë paraprake janë 4 portierë, 10 mbrojtës, 9 mesfushorë dhe 4 sulmues, pesë prej tyre do të mbeten jashtë listës, kur trajneri serb të vendosë për 23 lojtarët me të cilët do të udhëtojë drejt Francës. Sfida e parë e Zvicrës në Grupin A do të jetë ajo me Shqipërinë me 11 qershor në stadiumin e Lensit.
Po zhduken nga dita në ditë enigmat e përfaqësimit të Shqipërisë në Europianin 2016, me trajnerin Gianni de Biasi që ka ravijëzuar listën provizore të turneut të kësaj vere, të cilën do ta zyrtarizojë këtë të hënë. Por në pritje të formalizimit, duket se edhe dëshirat kryesore dhe preferencat e tifozëve shqiptarë, përkojnë me zgjedhjet eventuale të teknikut të kuqezinjve. Etrit Berisha, Lorik Cana, Sokol Cikalleshi apo Shkëlzen Gashi janë më të votuarit për listën e Europianit 2016 që nis muajin tjetër.
Këta lojtarë së bashku me Sadikun, Xhakën apo Abrashin, janë mes më të pëlqyerve nga mbështetësit shqiptarë. Bie në sy votimi i lartë i Alban Mehës, mesfushorit të Koniaspor që me të gjitha gjasat do të jetë jashtë Europianit, duke parë zhvillimet e fundit. Në forume të ndryshme, ndërkohë qarkullon një shkresë e FSHF-së, e cila zyrtarizon “de facto” lojtarët e seleksionit për turneun transalpin, duke i kujtuar klubeve respektive që të mos i publikojnë detajet para 23 majit.
Shqipëria do të luajë premierën historike në një europian më 11 qershor ndaj Zvicrës në Lens në orën 15:00. Më pas, kuqezinjtë do të impenjohen ndaj Francës në stadiumin “Velodrom” të Marsejës, e më pas ndaj Rumanisë në Lion më 19 qershor.

Artikulli paraprakJames te Juventus
Artikulli tjetërNdikimi i zbatimit të MSA në ekonominë e Kosovës