Me zullumin e Republikës së vjetër s’ka bashkëjetesë

Lulzim Basha ka sqaruar publikisht mbrëmë nga Elbasani mbi tymnajat që po përpiqet të mbjellë Edi Rama tek njerëzit duke hedhur poshtë çdo mundësi për bashkëjetesë qeverisjeje me Republikën e vjetër.
“Dredhia e fundit e Republikës së vjetër është ideja që po mbjell në kokat e njerëzve se ekziston një mundësi bashkëjetese me Republikën e re. E keni vënë re apo jo? Luli është çun i mirë. Unë nuk jam çun i mirë, në këtë garë, ku do të vendosin shqiptarët për të ardhmen e tyre, unë jam më i miri. Jo vetëm kaq, por Edi Rama nuk i lan dot zullumet dhe gjynahet në këto katër vite, braktisjen e premtimeve, gjendjen e mjeruar të ekonomisë, duke u fërkuar pas Republikës së re, pas Partisë Demokratike, apo pas meje. Mbaje mend këtë që po të them.
Ti të thuash nga mëngjesi në darkë që unë jam çun i mirë, elbasallinjtë dhe gjithë shqiptarët e dinë që jam çun i mirë, por nuk jam thjesht i mirë, por jam më i miri në këtë garë, me planin më të mirë, me vendosmërinë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza.
Dhe kjo nuk kalon nga bashkëjetesa me Republikën e vjetër, por nga mundja totale e Republikës së vjetër me votën e bashkuar të shqiptarëve në datën 25 qershor”, tha Lulzim Basha.
Kreu i PD, Basha ndau dje me gratë e Elbasanit planin ekonomik të PD për nxjerrjen e vendimit nga gremina në të cilën e ka hedhur Rama, si dhe masat konkrete për ta bërë këtë plan ambicioz realitet. Basha u ndal tek keqqeverisja Rama e këtyre katër viteve, ndërsa tha se rritja e taksave dhe mungesa e një programi real qeverisës bëri që shqiptarët të varfëroheshin në mënyrë ekstreme ndërsa mijëra biznese u mbyllën e qindra investitorë të huaj u larguan nga vendi.
“Rama kishte katër vite, kishte gjithë paratë 16 miliardë euro, por Rama s’kishte prioritet gratë e vajzat e Shqipërisë ashtu siç nuk kishte gjithë shqiptarët. 600 milionë lekë, sa 10 vite asistenca ekonomike për gjithë qytetin e Cërrikut.
Kjo është kriminale. Ja ku janë paratë e taksave të larta që i morën frymën biznesit, janë 26 mijë e 400 biznese që u mbyllën, sepse Edi Rama rriti taksat, çmimin e energjisë, naftën.
E me këto para çfarë bëri pllaka, ndërkohë që njerëzit janë në fazën e urisë kronike. Premtoi 300 mijë vende pune, përse nuk i hapi, sepse nuk kishte asnjë program për këtë, por vetëm për të marrë votat, nuk kishte asnjë plan për të realizuar premtimet. Edhe sot, nuk ka plan, i ka premtime në hava.
PD dhe unë vijmë me një plan ekonomik, është pjesë e një tërësie masash që kanë një qëllim të ndezin motorët e ekonomisë për shqiptarët. Kjo do të ndodhë vetëm kur ne të fillojmë zbatimin e këtij plani”, u shpreh Basha.

Rama, diskriminoi gratë në qeverisjen e tij

Basha akuzoi kryeministrin Rama se i përdor gratë për fushatë dhe nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet që ka dhënë për to.
Kreu demokrat tha se Rama është kujtuar për t’i hequr nga listat për deputetë që të fuste trafikantë të nënave dhe motrave shqiptare. “T’i japim fund teatrit të Edi Ramës, njeriut përgjegjës për situatën në këtë vend, që e ka gojën plot për gratë, por të tjera bën e të tjera thotë. I përdor gratë për fushatë, nuk është kujtuar kurrë për mirë për to.
Gjë të mirë në këto 4 vite për gratë nuk arriti. Sipas statistikave të INSTAT-it të Ramës janë dyfishuar divorcet, kush e ka fajin, varfëria, papunësia.
Fjalë ka shumë, premtimet jo vetëm që nuk i mban, por shkon në drejtimin tjetër, se po ta mbushësh vendin me kriminelë, kush i ka pasojat më të mëdha? Sigurisht gratë. Është kujtuar për t’i hequr nga listat për deputetë që të fuste trafikantë të nënave dhe motrave shqiptare”, tha Basha.

Programi ekonomik i PD do funksionojë në Shqipëri

Një program ambicioz, i mbështetur nga ekspertët më të mirë europianë të Kancelares Merkel, i cili ka funksionuar në Europë dhe do të funksionojë në Shqipëri.
Ulja e taksave si ajo e TVSH-së do të sjellë 400 euro mesatarisht më shumë për çdo familje në vit, taksa e sheshtë do të sjellë investitorë të huaj. Do të ketë 10 mijë stazhe për të rinjtë e sapodiplomuar, para në dorë për fermerët, si dhe mbështetje për familjet në nevojë. Biznesi i vogël do të ketë taksë vetëm 1.5% të xhiros dhe asgjë tjetër. Çmimi i naftës dhe i energjisë do të ulen. “Ky është një plan ekonomik që ka vulat e ekspertëve më të njohur të Gjermanisë, që do të funksionojë nëse vihet në punë. Unë e kam se si ka funksionuar plani i uljes së taksave, i mbështetjes me subvencione për fermerët, i mbështetjes për sipërmarrësit e vegjël, i mbështetjes me stazhe pune të të rinjve, këto janë masat që funksionojnë dhe japin rezultat.
Paratë që ka vjedhur Rama ne do t’ua lëmë në xhepa qytetarëve, vetëm me uljen e TVSH mesatarisht do të kthehen 400 euro për çdo familje shqiptare. 240 lekë për litër naftë merr Edi Rama me taksën e re, çmimi i naftës është në çdo kafshatë bukë e gotë ujë që konsumojnë shqiptarët.
E njëjta gjë me energjinë elektrike, ndërkohë që e prodhojmë shumicën këtu, sepse u hap një gropë e madhe me CEZ dhe për të mbushur këtë gropë u rrit çmimi i energjisë.  Nafta dhe energjia duhet të jenë konkurruese, në vendin me rrogat më të ulëta, pensionet më të ulëta, me fuqinë blerëse më të ulët kemi taksat më të larta”, tha kreu i PD.

Artikulli paraprakDrejt një fitoreje historike
Artikulli tjetërZbulohen pyjet me kanabis në Krujë, asnjë i arrestuar