Zoti bahçevan, përpiquni të bëni diçka që e kalon kufirin e një kulle…

Nga Elona CASLLI 56985501 652708618533019 9119041328410263552 n

Thjeshtësia nuk është vulgare

Ju dëgjova pjesërisht dje në mbrëmje Z. Kryebashkiak. E nënvizoj faktin e dëgjimit të pjesshëm se nuk jam e aftë t’ju dëgjoj nga fillimi deri në fund të një bisede, për arsyen e thjeshtë se ju këmbeni vulgarizimin me thjeshtësimin.

Thjeshtësimi e një mendimi mirëpritet nga kushdo, vulgarizimi i një mendimi mirëpritet vetëm nga ithtarët e tij.

Mjafton të dëgjosh argumentin mbi ndërtimin e kullave në qendër të qytetit për të kuptuar se ju, jo vetëm i gënjeni qytetarët e Tiranës, por njëkohësisht fyeni edhe mençurinë e tyre.

Argumenti juaj, (ndonëse duhet një zemërgjerësi e madhe për ta ngritur në nivel argumenti mendimin tuaj pa brendi) për ngritjen e kullave në qendër të qytetit ishte:
“Dy autobusa plot me kinezë papritur gjenden në qendër të Tiranës, për një udhëtim turistik.
Tek hoteli në zemër të kryeqytetit, “Tirana International Hotel”, nuk ka mjaftueshëm dhoma për kinezët.
Atëherë duhet të ndërtojmë kulla, ku të flenë kinezët”.

Po të analizohet me vëmendje ky “argument”, rezulton se brenda jush ekziston prirja për të thjeshtesuar mendimin me shembuj konkretë, në mënyrë që populli ta kuptojë qartazi mesazhin që doni të jepni.

Së pari, duhet të kuptoni se thjeshtësia është tipar i mendjeve të shkolluara, të kultivuara dhe të vërteta.
Fakti që një gënjeshtër rrëfehet përmes kinezëve, nuk e bën këtë gënjeshtër të besueshme, përveçse e përforcon atë.

Së dyti, rrëfenja juaj mbi djalin e varfër që dikur shiste fiq, nuk është e thjeshtë. Është e rreme.
Kur blihen fiqtë në tregun e frutave dhe perimeve, njerëzit i njohin shitësit e tyre.
Nga terminologjia që përdoret në këtë mjedis, ekziston një shprehje që blerësit e shkëmbejnë si paralajmërim mes tyre për shitësit – Kujdes se ai ta fut në kandar-.

Le ta marrim të mirëqënë që ju keni qenë i drejtë me kandarin gjatë kohës së vështirë të fiqve, lind pyetja- Ky kapërcimi nga fiqtë tek studimet në Shtetet e Bashkuara si përligjet?!
Kjo hapësira që ndan fikun me studentin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pse nuk rrëfehet?
Të ketë qenë vallë shitja e fiqve një aktivitet kaq fitimprurës?!

Së treti, konkretizuat dashurinë tuaj disa vjeçare, me “gjysmën tuaj më të mire” (sikundër shprehet Kryeministri për individin me të cilin vendosim të bashkëndajmë ekzistencën,) në një kështjellë të dekoruar plot përkushtim për ditën më të veçantë në jetën tuaj.
Keni deklaruar se kjo ceremoni ishte një dhuratë nga Zonja që ju ka mëkuar me gji.

Është paksa e rrallë në realitetin shqiptar që një prind të ketë qenë aq i zoti në administrimin e të ardhurave familjare, sa t’ia ketë dalë mbanë ta ketë menaxhuar me aq mençuri buxhetin modest familjar, për të sponsorizuar një mbrëmje të vetme që kushton me miliona lekë.

Nëse vërtetë ka ndodhur kështu, atëherë Zonja në fjalë, duhet t’i mbajë leksion gjithë njerëzimit mbi administrimin e të ardhurave familjare.

Së katërti, deklaruat me shumë “vendosmëri” se do ta shembnit Teatrin Kombëtar dhe se asgjë nuk do t’ju ndalte.

Hebrenjtë kanë një shprehje fort të mençur që thotë:- Kur ju bëni plane, Zoti fillon të qeshë”.
Kam përshtypjen se Zoti ka nënqeshur edhe kur deklaruat para disa muajsh se pas dyzetë ditësh Teatri do të shembej.

  1. Kryebashkiak për fatin tuaj të keq dhe për fatin e mirë të këtij vendi , kanë mbetur ende individë cerebralë në këtë qytet, të cilët, nuk mund kurrsesi ta marrin harbutërinë për thjeshtësi, paditurinë për dituri, gënjeshtrën për të vërtetë dhe vesin për virtyt.

Me mbjelljen e pemëve të jepni përshtypjen e një bahçevani në krye të bashkisë dhe madje duket se këmbimi valutor në këtë qytet është: 1 pemë= 1 kullë.
Fotografoni çdo mbjellje peme për të faktuar “përkushtimin tuaj të përveçëm“ ndaj qytetit.
Edhe fotografitë në thelb nuk kanë thjeshtësinë, por vulgaritetin.

Nëse kushdo në këtë qytet do të ndiqte logjikën tuaj, do të ndodhte që në profilin personal të çdo njeriu që punon në këtë vend do të ishte një seri fotografish dhe mund të përballeshim me imazhin e një mjeku me një zorrë shtojcë në dorë, me imazhin e një dentisti me një dhëmb në dorë e me shumë gjëra të tjera.

Nuk mund të bësh një fotografim të përditshëm të një pune për të cilën paguhesh dhe të cilën e ke detyrë ta bësh.

Së fundmi, pohuat se kritikët tuaj bënin veçse zhurmë.
Nuk e di se ç’kuptim ka zhurma për ju, por duhet një imagjinatë e shfrenuar të quash “zhurmë”, kundërshtinë për të mos prishur hapësirën e fidanishtes së vreshtave që shërben për zhvillimin e lëndëve laboratorike në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

A dini domethënien e fjalës Universitet, Z. Kryebashkiak?
Studimet e kryera jashtë vendit duhet ta kishin rritur ndjeshmërinë tuaj ndaj Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend dhe përvoja e çmuar perëndimore duhet të ishte e pranishme qoftë në fjalën tuaj dhe qoftë në veprimin tuaj.

Post Scriptum- Në mënyrë që të mos ta ngatërroni më thjeshtësimin e një mendimi me vulgarizimin e këtij të fundit, po ju rrëfej një histori të shkurtër…

Dikur pyetën një shkrimtar të madh dhe i thanë- Çfarë bën çdo ditë?
Dhe ai u përgjigj- Përpiqem të shkruaj diçka, që e kalon kufirin e një boce.

Ndaj Z. Kryebashkiak përpiquni të bëni diçka që e kalon kufirin e një kulle, të një fotografie, të një teatri të shembur, të një qendre didaktike të shkatërruar brenda në Universiteti dhe të një qyteti të gjymtuar.

Artikulli paraprakBasha: Largimi i Ramës, emergjencë kombëtare, betejë me 13 Prill, Dako e Gjiknuri në burg
Artikulli tjetërShqiptarët paguajnë 10 milionë euro taksa për TVSH-në në 2018, do paguajnë edhe për dekoderin