Zonan e NënShkodrës vazhdon të jetë nën ujë, rrezik epidemish nga përmbytjet

Një sipërfaqe prej 1400 hektarë vazhdon të jetë nën ujë në Bashkinë e Shkodrës, ndërkohë që reshjet e shiut vazhdojnë në të gjithë territorin. Në Obot, kalimi bëhet i mundur vetëm me makina të larta.
Mbi 325 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit afërsisht në 300 m gjatësi.
Në Obot kalimi bëhet i mundur me makina të larta. Mbi 1000 ha tokë janë të përmbytura: Fshati Muriqan 400 ha, fshati Oblikë 400 ha, fshati Obot 200 ha.
Ujësjellësi Oblika1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Gjithashtu në Njësinë Administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore. Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës.

Në Njësinë Administrative Rrethina, në fshatin Zues janë të përmbytura 70 ha tokë nga të cilat 10 ha ndodhen poshtë fshatit Zues dhe 60 ha tokë e këtij fshati në fushën e Oblikës.
Në Obot është e pamundur të hyje me mjete të tonazhit të ulët ndonëse uji po tërhiqet. Të vetmet makina që prekin fshatin janë kamionët e ushtrisë. Nën ujë janë 1400 hektarë tokë. Fermerët kërkojnë që shteti t’i dëmshpërblejë si e vetmja formë për t’u ringritur.
Dëmet në bujqësi si pasojë e vërshimit të ujërave janë të mëdha. Mungesa të bazës ushqimore për gjënë e gjallë ka në disa fshatra për shkak të izolimit disa ditor. Por, ndërsa java e ardhshme parashikon rikthim të reshjeve, ushtrisë i është kërkuar tërheqja nga zona prej kësaj të diele.
Nga ana tjetër, Bashkia rikërkon shpallje të emergjencës së pjesshme. Gjithçka ka mbetur pezull dhe pasojat po i vuajnë 200 familjet e Anës së Malit.

Thirrja e Bashkisë
Bashkia e Shkodrës thotë se, qeveria duhet të marrë masa për furnizim me klor për dezinfektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit. “Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në këto njësi, pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit. Situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të pakontrolluara dhe të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë, si dhe nga keqmenaxhimi i kaskadës së lumit Drin”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Raporti i IGJEUM: Vazhdon rreziku në Shkodër
Instituti i Gjeoshkencës vendos sinjalin e alarmit për përmbytje në Qarkun e Shkodrës gjatë ditës së sotme. Në raportin e parashikimit të motit për ditën e hënë, ky institucion shprehet se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta.
Të hënën në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të rriten prurjet në pjesët e larta malore, duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Në pjesën fushore të basenit që i përket lumenjve Drin-Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të ketë tendencë për rritje të nivelevedhe rrezikut gjatë të hënës. Për arsye të vazhdimit të rrezikut nga përmbytja dhe reshjet e pritshme është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për Qarkun e Shkodrës.
Në gjithë pjesën tjetër të territorit gjatë të hënës, sipas IGJEUM, priten reshje, ndërsa në Qarkun Shkodër dhe Lezhë ato pritet të jenë intensive, ndërsa në qarqet Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan priten mesatare të shoqëruara edhe me shtrëngata.

Artikulli paraprakAksidenti me 10 nxënës të plagosur/ Kush është 17 vjeçarja që u nis me helikopter drejt Tiranës
Artikulli tjetërBashkia Kamëz mbjell mbi 1 mijë pemë tek liqeni i Paskuqanit