Zjarri në pyjet e Pukës rrezikon të djegë rrëqebullin e Ballkanit

Një zjarr i madh që ka rënë në masivin pyjor të Munellës po përhapet me shpejtësi i ndihmuar nga era duke përpirë pyjet. Zjarrfikësit dhe banorë të zonës janë duke bërë të gjitha përpjekjet për ndaljen e flakëve, por pa ia arritur qëllimit. Banorët kanë kërkuar të ndërhyjnë helikopterët, por deri tani nuk është dërguar asnjë helikopter për shuarjen e flakëve. Mali i Munellës njihet si streha e rrëqebullit të Ballkanit.
Ndërkohë, situata e zjarrit në kurorën e gjelbërt të Laçit është përkeqësuar. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke përfshirë rrugën e Kishës së Laçit. Për pasojë janë të rrezikuara banesat. Policia menjëherë ka kryer evakuuimin e banorëve. Raportohet se zjarri i është afruar edhe lagjes Sanxhak. Për lokalizimin e zjarrit janë angazhuar zjarrfikëse të Laçit, Lezhës dhe të Krujës, të cilat po punojnë me mjete rrethanore, pasi terreni është shumë i vështirë. Banorët kërkojnë ndërhyrje nga ajri për të shmangur dëmtimin e shtëpive.

10 vatra zjarri në të gjithë vendin

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 10 vatra të reja zjarri. Sipas emergjencave civile, ditën e djeshme në kurorën e Kishës së Shën Ndout të Laçit ra një zjarr i përmasave të mëdha. Në këtë operacion u angazhuan 11 mjete zjarrfikëse nga Bashkia e Krujës, Kamzës, Lezhës si dhe ato të Forcave të Armatosura, si dhe 70 efektivë të ushtrisë. Për shkak të terrenit të vështirë është ndërhyrë edhe nga ajri me anë të helikopterit.
Në pyllin me pisha në fshatin Poroçan të Gramshit, zjarret kanë qenë aktive dhe mëngjesin e kësaj të mërkurë. Për shkak të terrenit të vështirë, zjarri nuk është vendosur nën kontroll. Era e fortë ka bërë të pamundur ndërhyrjen nga ajri me helikopter. Zjarri në këtë zonë vazhdon të jetë aktiv.
Po ashtu, në lagjen “Xhami”, Peqin ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, si dhe rrezikonte disa banesa. Shërbimi zjarrfikës ka ndërhyrë, duke shuar flakët.
Zjarre janë regjistruar dhe në fshatin Qerret të Pukës. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe ferra dhe disa pemë frutore. Ndërsa në fshatin Çast u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe ferra, si dhe 25 bagëti.
Në Qarkun Fier, një zjarr i madh ka përfshirë një plantacion me ullishte në fshatin Drenovë, Mallakastër.
Zjarri, për shkak edhe të terrenit të thyer dhe erës së fortë, ka marrë përmasa duke u përhapur me shpejtësi. Pas një operacioni që zgjati rreth 3 orë u arrit të shuhej zjarri.
Zjarre janë regjistruar dhe në Peshtan dhe Gorishtë ku janë shkrumbuar disa hektarë me shkurre dhe pisha.
Vatrat e zjarrit në Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës” në Korçë janë riaktivizuar sërish mbrëmjen e së martës. Forcat operacionale kanë bërë të mundur që pas një pune që zgjati rreth 10 orë vunë në kontroll situatën. Nga zjarri u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme pylli me pisha dhe bredh.

Zjarrvënie e qëllimshme

65-vjeçari Dylaver M. nga fshati Gjon i Bulqizës, i ka vënë zjarrin pyllit në Martanesh me një çakmak. 500 m2 pyll janë shkretuar megjithë luftën që bënë Emergjencat Civile dhe banorët e fshatit për ta shuar. Dylaver M. është arrestuar tashmë si autori i vënies së zjarrit më datë 29 gusht 2017 në fshatin Gjon si edhe në fshatin Lenë, ku me datë 24.08.2017, është djegur një sipërfaqe pylli (me pisha). Policia e Dibrës, po ashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A.K, 15 vjeç, banues në Muhurr, pasi dyshohet të jetë autori i vënies së zjarrit më datë 24.08.2017 në fshatin Muhurr, Dibër, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe pylli, rreth 10 dynym (dushk, shkurre). Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit D.M. dhe për veprën penale “Shkatërrim me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.

Artikulli paraprakKërcënohet akademiku Artan Fuga: Më thanë mbyll gojën ose ik!
Artikulli tjetërHetuesi i Vlorës akuzon Trocin: Prokuroria lë të lirë kriminelët