Zjarr në një spital në Korenë e Jugut, 41 të vdekur

Të paktën 41 veta humbën jetën nga një zjarr që shpërtheu në një spital në Korenë Jugore. Numri i viktimave mund të rritet.
Më shumë se 70 veta janë plagosur, dhjetë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Zjarrfikësit thanë se zjarri shpërtheu në dhomën e emergjencave në spitalin Sejong në qytetin Miryang, rreth 300 kilometra në jug të Seulit dhe u zgjerua me shpejtësi.
Sipas raportimeve, rreth 200 pacientë ndodheshin në ndërtesën e spitalit dhe në një azil pleqsh aty pranë. “The Korean Herald” shkroi se 94 pacientët e azilit u evakuuan me kohë.
Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, mbajti një takim emergjent me ndihmësit e tij duke kërkuar që të ofrohet çdo ndihmë e mundshme mjekësore për të ndihmuar të mbijetuarit. Një zëdhënës i presidentit tha se ai shprehu “keqardhjen dhe pikëllimin” e tij për ngjarjen.
Zjarrfikësve iu deshën gati tri orë për të shuar zajrrin. Shefii tyre, Choi Man-woo, u tha gazetarëve se shkaktari i zjarrit është ende i panjohur.

Artikulli paraprakZaevi dhe Tsiprasi takohen në Davos: Koha për zgjidhje
Artikulli tjetërTrump: Palestinezët nuk tregojnë respekt ndaj SHBA