Zjarr në banesë, vdes tragjikisht i moshuari

Një 85-vjeçar humbi jetën në Lezhë, pasi banesa e familjes u përfshi nga flakët. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme rreth orës 11:30 në fshatin Rrilë, ndërsa viktimë mbeti Gjet Deda 85 vjeç. Burimet thanë se, viktima ka qenë duke pirë duhan në dhomë dhe cigarja i ka rënë në dyshekun e krevatit, i cili ka marrë flakë shumë shpejt dhe pas zjarri përfshiu të gjithë dhomën. Për shkak të moshës së thyer, i moshuari nuk ka mundur të largohet dhe është shkrumbuar brenda në dhomë.
Kanë qenë fqinjët e viktimës, të cilët sapo kanë parë tymin kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për të shuar flakët, por pa mundur që ta shpëtojnë 85-vjeçarin. “Dy sekonda kemi bërë. Kemi hapur portën. Kur kemi hapur derën e madhe, ka plasur xhami nga jashtë. Pastaj ndërhyjnë me kova me ujë, dritë nuk kishte. 100 kova me ujë ja kemi plasur në dhomë. Punë 10 minutash. Dyshimet janë, dritë nuk ka pasur, furnelë nuk ka pasur. Ndiz e fik duhan. Gotën e rakisë e pati në tavolinë. Ndiz e fik duhan i ka rënë në batanije, ka marrë dysheku”, u shpreh Fran Mici..
Në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse, të cilat vunë nën kontroll flakët dhe evituan përhapjen e zjarrit në të gjithë banesën, brenda të cilës ka shkaktuar dëme të mëdha materiale krahas viktimës. 85-vjeçari banonte me të birin, i cili mësohet se ishte në punë në kohën kur banesa e familjes u dogj! Policia zyrtarisht tha se po heton për dokumentimin e ngjarjes.

 

Artikulli paraprakSi u shpërblye Tahiri me diamante
Artikulli tjetërGjen vdekjen minatori në Bulqizë, e zë poshtë masivi i gurëve