Zjarr masiv në një servis makinash në Kamëz, shkrumbohen 6 makina

Një zjarr masiv ka përfshirë një servis makinash mëngjesin e së shtunës në Kamëz. Zjarri ka rënë rreth orës 07:10, ndërsa mësohet se flakët kanë përfshirë disa automjete që ndodheshin në servis. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar 3 makina të shërbimit zjarrfikës për shuarjen e flakëve. Arsyet e rënies së këtij zjarri mbeten ende të panjohura, ndërsa 6 makina janë shkrumbuar.
Një ditë më parë, një zjarr i fuqishëm i mori jetën një gruaje në një ashensor tek Fresku në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të ditës së enjte, në një pallat 8 katësh tek Fresku afër Thesarit të Shtetit. Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha dhe në vendngjarje kanë shkuar 3 zjarrfikëse, të cilat kanë kërkuar edhe përforcime. Po kështu, disa banorë kanë rrezikuar jetën për shkak të tymit, pasi mund të asfiksoheshin. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, që kanë ndihmuar banorët dhe zjarrfikësit. Pas rreth 1 ore luftë me flakët, zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë zjarrin. Bëhet e ditur se, shkak për këtë zjarr ka qenë vaji i ashensorit që ka rrjedhur, i cili më pas është nxehur si shkak i punës së ashensorit, duke marrë flakë, e duke i marrë jetën një nëne të re. Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur në një pallat në zonën e Freskut ku një 30 vjeçare humbi jetën, specialistët shprehen se ndërprerja e herëpashershme e energjisë elektrike është një nga faktorët që ndikon në problemet me ashensorët. “Një ndër faktorët kryesor është dhe ikja e shpejtë e energjisë elektrike.Dmth është një problem madhor në Shqipëri. Pajisjet janë ndërtuar në mënyrë të tillë që energjia mos ike shpesh”, shprehet një inxhinier. Sipas tij përgjegjësinë për njoftimin mbi parregullsitë me ashensorin e ka administrator ose bordi i banorëve.

Artikulli paraprakAksident tragjik në Librazhd, vdes 21-vjeçari
Artikulli tjetërProkuroria nis hetimet për vdekjen e 30-vjeçares nga zjarri në ashensor