Zidane krenar!

Cristiano Ronaldos i mjaftojnë 22 minuta në Superkupë për t’ia vënë njërën dorë Realit te trofeu, me madrilenët që fituan 3-1 në “Camp Nou”, ku portugezi në 22 minuta që qëndroi në fushë shënoi 1 gol, tregoi muskujt dhe mori dhe një të kuq. Protagonizëm absolut i CR7 në një ndeshje ku jo pak vëmendje meriton dhe Asension për atë “predhë” të minutës së 89-të që ia bën pothuajse të pamundur misionin “Remuntada” Barcelonës. Skuadra e Valverdes vuajti në këtë ndeshje të parë largimin e Neymar, me mungesën e brazilianit që u vu re në skemat sulmuese. Pas një pjese të parë pa gola, e dyta ishte zjarr, me Barcelonën që shënoi të parin, vetëm se Pique ngatërroi portë.
Goli i pësuar solli reagimin e Barcelonës, por në një mbrëmje jo për Suarezin goli mund të vinte vetëm nga këmbët e Messit që shënoi nga pika e bardhë. Gjithsesi përgjigjja e Ronaldos nuk vonoi me portugezin që shënoi golin e 1-2 duke dërguar topin në trekëndësh. Portugezi tregoi muskujt dhe mori kartonin e parë të verdhë, ndërsa një minutë më pas u rrëzua në zonë pas një përplasjeje me Umtitin që për gjyqtarin ishte simulim dhe automatikisht dhe kartoni i dytë i verdhë për Ronaldon. Me 10 vetë në fushë, Reali jo vetëm që nuk pësoi, por shënoi dhe golin e 3-1 falë Asension që bëri të pavlefshme praninë e Ter Stegenit në portë, duke i dhënë Realit një epërsi të madhe për sfidën e kthimit në “Bernabeu” të mërkurën në mbrëmje.
Krenar për skuadrën që ai drejton. Reali i Madridit me Zinedine Zidane në krye të stolit nuk di më të ndalet. Los Blancos pasi fituan La Ligan, Champions Leaguen dhe Superkupën e Europës, falë suksesit fantastik me shifrat 3-1 brenda në “Camp Nou” ndaj Barcelonës në ndeshjen e parë prekën me njërën dorë edhe trofeun e Superkupës së Spanjës.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të El Clasicos, Zidane nuk i kurseu kritikat për arbitrin, ndërsa vlerësoi skuadrën e tij. “Zhvilluam një ndeshje të madhe. Por arbitri u mundua ta prishte disi në momentin që i nxori kartonin e kuq Ronaldos për simulim. Ndoshta nuk ishte penallti, por i kuqi nuk ishte i nevojshëm dhe na prishi planet. Të shohim se çfarë mund të ndodhë të mërkurën, por dua të them që jam shumë krenar për futbollistët e mi. Edhe pse luajtëm me 10 lojtarë për disa minuta ata besuan te fitorja deri në fund. Për mua Reali i Madridit nuk ka një ekip A dhe një skuadër B. Të gjithë janë njësoj dhe të gjithë janë të rëndësishëm për këtë skuadër. Luajnë gjithë ndeshjen, 1 orë apo 20 minuta, ata sërish japin maksimumin dhe bëjnë gjithmonë mirë. Asensio? Nuk më surprizon, ajo që po bën është fenomenale. Ka cilësi të jashtëzakonshme kur godet topin dhe është një vlerë e shtuar për Realin e Madridit”, u shpreh Zidane.
Zhgënjimi nuk mund të mungonte në fjalët e trajnerit të Barcelonës Ernesto Valverde, por edhe pse e pranon se falë fitores 3-1 Reali i Madridit është shumë pranë fitimit të Superkupës së Spanjës, numri 1 i stolit të katalanasve beson ende te mrekullia: “Nuk bëmë një ndeshje të keqe, por rezultati nuk ishte i mirë për ne, Reali është favorit tashmë, por është edhe një ndeshje tjetër për t’u luajtur dhe duhet të besojmë te përmbysja sepse jemi Barcelona. Sezoni sapo ka nisur dhe asgjë nuk përfundon pas një humbjeje apo pas një fitoreje”, deklaroi Ernesto Valverde.

Artikulli paraprakLatifi drejt Hungarisë, për Skënderbeun 1 milion euro
Artikulli tjetërNeymar debuton me gol me PSG