Zidane kërkon mesfushorin e PSG

Trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane dëshiron të firmosë me sulmuesin e Paris Saint-Germain, Julian Draxler, sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle. Lojtari gjerman nuk ka hapësirën e dëshiruar te parisienët, që pas ardhjes së Neymar dhe Mbappe. Për këtë arsye, tekniku francez, duke parë edhe largimin e Alvaro Moratës dhe James Rodriguez, do të vihet në lëvizje për ta marrë që në janar 24-vjeçarin.
Te Juventus-i duket se e dinë se cili do të jetë pasuesi i Gigi Buffon. Prej kohësh përflitet për një interes ndaj portierit të Atletico Madrid, Jan Oblak, por klubi bardhezi nuk mendon të paguajë 100 milionë euro, aq sa është klauzola e 24-vjeçarit. Kështu plani të çon te Wojciech Szczesny, që u mor nga Arsenali në muajin gusht, me polakun që duket se i përshtatet ambicieve të “Zonjës së Vjetër”.
Manchester United po përgatit rinovimin e kontratave të Marcus Rashford dhe Marouane Fellaini, para se të nisë merkatoja e janarit. Rashford zgjati marrëveshjen për 4 vjet me “Djajtë e Kuq” vetëm sezonin e kaluar, ndërsa Fellaini e rinovoi vetëm me një sezon. Megjithatë trajneri Jose Mourinho i konsideron lojtarë të rëndësishëm dhe për këtë dëshiron t’i blindojë sa më parë. Siç raporton “Sunday Mirror”, trajneri i Everton, Ronald Koeman është në kërkim të përforcimeve në repartin e avancuar. Emri i parë në listën e teknikut holandez është ai i sulmuesit të Arsenal-it, Olivier Giroud.
Pavarësisht se ka pak ditë që u shkarkua nga Crystal Palace, Frank de Boer mund të rikthehet shumë shpejt në drejtimin e një skuadre. Sipas asaj që shkruan tabloidi anglez, “The Sun”, trajneri holandez është në “radarin” e Deportivo la Coruna, që nuk i ka bërë një start të mirë kampionatit, pasi renditet në vendin e 18. Për momentin ekipi spanjoll drejtohet nga Pepe Mel.
Andre Gomes mund të mbyllë para kohe aventurën e tij me Barcelonën. “Don Balon” raporton se mesfushori portugez ka kërkuar largimin nga klubi katalanas që në merkaton e janarit. Lojtari është i pakënaqur me minutat e pakta të aktivizimit dhe për këtë po mendon të gjejë një skuadër ku mund të luajë rregullisht. Juventus dhe Manchester United janë në gjurmët e 24-vjeçarit.

Artikulli paraprakSkandali me masakrën Veliera përfundon në UNESCO
Artikulli tjetërVetëm Dybala!