Zhvatje me 574 milionë në Spitalin e Vlorës

Partia Demokratike denoncoi dje aferën e radhës me tenderat e shëndetësisë, fenomen që tashmë është përhapur në të gjitha qarqet e vendit. Bëhet fjalë për Spitalin rajonal të Vlorës, ku drejtuesja e këtij institucioni, njeri pranë Koço Kokëdhimës firmos për dhënien e tenderave qindra milionësh firmave klienteliste pranë saj. Përmes një deklarate për shtyp, deputetja demokrate Arbiola Halimi ka denoncuar se drejtuesja e Spitalit rajonal të Vlorës ka dhënë në një rast 226 milionë lekë firmës kliente të saj, me prokurim të drejtpërdrejtë për blerje ilaçesh, në kushtet kur nuk kishte asnjë lloj emergjence.
“Metodat Beqaj të korrupsionit në shëndetësi janë transplantuar edhe në rrethe.  Spitali rajonal i Vlorës ka arritur rekorde hajdutërie, në tendera e ndarje fondesh. Ka dhjetëra procedura me prokurim të drejtpërdrejtë, pa garë, me fitues të paracaktuar.
Titullarja e këtij institucioni, pas të cilës qëndron Kokëdhima, i ka dhënë në një rast 226 milionë lekë firmës kliente të saj, me prokurim të drejtpërdrejtë për blerje ilaçesh, në kushtet kur nuk kishte asnjë lloj emergjence pasi në magazinë gjendeshin medikamente të mjaftueshme”, u shpreh deputetja Halimi.
Gjithashtu ajo solli një tjetër rast klientelist, ku nga Spitali Psikiatrik i Vlorës i është akorduar një tender klientelist qindra milionësh një kompanie me ofertën më të lartë.
“Në një rast tjetër, janë dhënë 348 milionë lekë sërish me prokurim të drejtpërdrejtë, një kompanie për blerje ilaçesh, në shkelje të ligjit duke mos vendosur kriterin e detyrueshëm që është vërtetimi nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave. Por kulmi i është tenderi i pastrimit të Spitalit Psikiatrik, ku janë përjashtuar të gjitha firmat që kanë ofruar më pak dhe paratë i janë dhënë kompanisë ‘SORI-AL’, që ka bërë dhe ofertën më të lartë.
Keni këtu dokumentet që vërtetojnë këtë aferë. Kjo pra, është shëndetësia e Edi Ramës, ku ai vetë i pari, me Beqajn e Koçon e gjithë zinxhirin e tyre, janë sulur në këtë grykësi, kush të kapë më shumë miliona. Milionat e ndarja e tyre me miqtë janë prioriteti i Ramës dhe jo shëndetësia e shërbimi ndaj qytetarëve”.
Sektori i shëndetësisë është një nga sektorët ku paratë publike zhvaten në masivitet. Është Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka evidentuar shumë shkelje në sektorin e shëndetësisë, teksa abuzimet nisin që me tenderat e deri te emërimet në detyrë. Në raportin e KLSH për auditimin e zhvilluar në Fondin e Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, raport i dërguar në Prokurori, janë evidentuar një sërë abuzimesh.
Madje shumë shkelje janë gjetur dhe nga vetë Drejtoria e Brendshme e Auditit. KLSH ka konstatuar probleme sa i takon zhvillimit të tenderave dhe sidomos përcaktimit të fondit limit. Në raport thuhet se fondi limit përcaktohej duke mbledhur ofertat e operatorëve dhe jo duke parë vlerën reale të tregut.
“Llogaritjet e fondeve limit për tenderat, që fondet janë përdorur duke studiuar tregun, janë bërë duke bashkëlidhur ofertat e operatorëve ekonomikë të ndryshëm dhe duke fiksuar vlerën më të vogël, megjithëse vlerat janë afërsisht të afërta me njëra-tjetrën.
Theksojmë se vlerat e dhëna me shkrim nga disa operatorë ekonomikë duke u shkruar dhe vulosur janë rreth 30% më të larta sesa vlera e ofertave ekonomike kur janë paraqitur në konkurrim brenda një afati fare të shkurtër 20-30 ditë. Kjo tregon për një punë të pakujdesshme e të papërgjegjshme për të dhënat që japin në treg këto ofertues në momentet e llogaritjeve të fondeve limit, prandaj studimi i tregut të bëhet vetëm në linjën e interneteve”, theksohet në raportin e KLSH. Po ashtu, ai ka evidentuar dhe plot 11 tendera me probleme dhe mangësi nga më të ndryshmet, që sipas KLSH, në disa raste duhej të anuloheshin.

Arben Shahini

Artikulli paraprakDurrës-Kukës, koncesion 60 miliardë lekë për mirëmbajtjen
Artikulli tjetërËshtë shumë pak ta quash skandal!