Zhduken në det biznesmeni e ndihmësi i tij prej 5 ditësh

Biznesmeni vlonjat, Adriano Jaho pronar i një hoteli në Vlorë, si dhe ndihmësi i tij Ariseld Maze, janë zhdukur prej 5 ditësh në Durrës. Të dy ata njihen si të apasionuar pas peshkimit dhe kishin shkuar në Durrës për të provuar një mjet lundrues 8.2 metra të gjatë me dy motorë mërkuri me dokumentacion të rregullt. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së tyre, por personi i fundit që ka folur me ta është një mik i Jahos.
Ai mësohet t’i ketë kërkuar ndihmë, duke i kërkuar një karrel, pasi skafi që me të cilin ai po lundronte po merrte ujë. Të afërmit kanë denoncuar zhdukjen e tyre fillimisht në Policinë e Vlorës më pas në Policinë e Durrësit, e cila po kryen edhe hetimet për zhdukjen e tyre.
Të dy personat kishin dalë nga shtëpitë e tyre të mërkurën me 3 korrik, për të shkuar në Durrës, për të provuar mjetin që kishin pasur në një pikë riparimi. Policia po vijon kërkimet për gjetjen e trupave të dy personave, ndërsa deri më tani, nuk ka asnjë shenjë të tyre.
Edhe Policia e Vlorës konfirmon se, familjarët e dy të zhdukurve thonë që ata u larguan nga banesa më datë 3 korrik dhe nuk janë kthyer. “Sipas kallëzimit të bërë nga familjarët e tyre, ata kanë deklaruar se këta dy shtetas janë larguar nga Vlora më datë 03.07.2017, rreth orës 10:30, në drejtim të qytetit të Durrësit me qëllim për të marrë një mjet lundrues detar tip Skaf, të cilin e kanë patur të ankoruar në Durrës dhe që prej asaj dite nuk janë kthyer më në banesë (Vlorë)”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.
Në një prononcim për mediat, djali i biznesmenit thotë se ka ardhur nga Italia, pasi mësoi zhdukjen e të atit. “Unë kam qenë në Itali, më ka marrë mamaja në telefon dhe më tha, që babai ka dalë me skaf nga Durrësi dhe nuk është kthyer më. Vëllai ka bërë denoncim në polici dy ditë pas zhdukjes së babait. Ai ka qenë për të provuar një skaf që e kishte të tijin. E ka nxjerrë nga servisi dhe kanë lënë hapur dy tapat që nxjerr ujin mjeti. Dhe kishte ikur për të nxjerrë ujin”, tha i biri i biznesmenit vlonjat.
Djali i 52-vjeçarit tregon bisedën e fundit të babait të tij me një mik, vetëm disa çaste para zhdukjes misterioze, ku ka kërkuar ndihmë, pasi skafi po fuste ujë. Sipas tij, ata nuk kanë qenë më larg se 2-3 milje larg bregdetit. “Ai natën e fundit që është zhdukur ka thënë sillni karrelin se skafi po merr ujë dhe nuk po e nxjerr ujin. Çunat kanë shkuar pas një ore për të nxjerrë karrelin, por më pas nuk janë bërë të gjallë. Ai mund të ketë qenë 2-3 milje larg. Ai është i apasionuar pas detit dhe të humbë njeri në mes të korrikut anës detit nuk është normale”, tha djali i biznesmenit.
Ndërkohë, një djalë 6-vjeçar është gjetur nga efektivët e policisë së plazhit në zonën e Plepave në Durrës. Nga veprimet e deritanishme dyshohet, se shtetasi e ka emrin Mateo Piperi, 6-vjeç, banues në Tiranë.
Policia jep edhe karakteristikat e tij, ndërsa bën thirrje për të gjithë ata që kanë të dhëna që të informojnë familjarët. “Është rreth 1 m i gjatë, me tipare të zeza, flokë të prera shkurt ngjyrë të zezë dhe një palë pantallona të shkurtra ngjyrë blu. Fëmija është në ambientet e Stacionit të Policisë Plazh në gjendje të mirë shëndetësore. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, kërkon bashkëpunimin e çdo shtetasi, i cili ka ndonjë informacion mbi familjen e fëmijës së gjetur të kontaktojnë në numrin 0694110217”, thuhet në njoftim.

Artikulli paraprakNgadalësimi i rritjes ekonomike, pasojë e parave informale të fushatës
Artikulli tjetërÇmimet në Dhërmi, tre herë më të larta në sezonin turistik